Protesta qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama vijoi edhe këtë të hënë në Tiranë, duke shënuar ditën e saj të 23-të radhazi. Qytetarët u mblodhën në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe godinës së Kryeministrisë.
Gjatë tubimit, protestuesit përsëritën thirrjet e tyre kundër klasës politike, mes tyre “Rama në burg, Berisha në burg!” dhe “Rama, jepe dorëheqjen!”, ndërsa organizatorët ritheksuan se kërkesa kryesore mbetet largimi i kryeministrit dhe i kabinetit qeveritar.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, protesta e së hënës u shoqërua me publikimin zyrtar të pesë kërkesave kryesore të lëvizjes qytetare. Ato u prezantuan para protestuesve nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj.
Kërkesa e parë dhe e panegociueshme është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij. Si hap të dytë, organizatorët propozojnë ngritjen e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat njëvjeçar, e cila do të menaxhojë procesin e reformave dhe përgatitjen e zgjedhjeve.
Një tjetër pikë kyçe lidhet me ndryshimet kushtetuese. Sipas organizatorëve, ato duhet të garantojnë barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit dhe të miratohen përmes referendumit popullor. Në këtë paketë përfshihen reforma në Kodin Zgjedhor, ndryshime në ligjin për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, si dhe vendosja e kufirit prej dy mandatesh për postin e kryeministrit gjatë gjithë karrierës politike të një individi.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e disa nismave ligjore që, sipas tyre, kanë cenuar interesin publik. Mes tyre renditen ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ndryshimet në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, “Paketa e Maleve” dhe kuadri ligjor për Investimet Strategjike.
Kërkesa e pestë parashikon hartimin e një kontrate të re sociale ndërmjet qytetarëve dhe shtetit. Organizatorët thonë se ky dokument duhet të ndërtohet përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë të fushave të ndryshme dhe qytetarë apartiakë të angazhuar në protestë.

Pesë kërkesat kryesore të protestuesve
1. Dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe e qeverisë.
2. Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese që garantojnë barazinë e të gjithë shtetasve shqiptarë para ligjit, të miratuara me referendum popullor, duke përfshirë:
- Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
- Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
- Kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në maksimum dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për Investimet Strategjike.
5. Hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë çdo ditë në orën 19:00, deri në realizimin e kërkesave të paraqitura dhe, sipas tyre, deri në rikthimin e standardeve demokratike dhe mbrojtjen e interesit publik.
/Argumentum.al





























































