Nga Dr. Ermir I. Hajdini
Analist Ligjor & Lektor Universitar
Kur Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, foli hapur për nevojën urgjente që Europa të investojë në inteligjencën artificiale dhe qendra të dhënash për të shmangur varësinë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina, ajo nuk bëri gjë tjetër veçse konfirmoi një realitet që analistët kritikë e kanë paralajmëruar prej kohësh. Shifrat e sjella prej saj janë kokëforta: gjatë vitit të kaluar, SHBA prodhoi 59 modele të njohura të IA-së, Kina 35, ndërsa në të gjithë Europën, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar prodhuan nga një model secila.
Megjithatë, ironia e kësaj deklarate nuk qëndron te vetë diagnoza, por te fakti se vjen nga BQE — një institucion monetar — dhe jo nga Komisioni Evropian. Përderisa Ursula von der Leyen dhe lidershipi politik aktual heshtin ose kufizohen te retorika e vonuar, kjo tregon se ky nuk është thjesht një alarm ekonomik, por simptoma e më shumë sesa një ngërç i thjeshtë: rikthimi i Eurosklerozës, kësaj radhe jo si ngadalësim thjesht industrial i viteve ’70–’80, por si një paralizë gjeopolitike dhe dixhitale.
Sindroma e Strucit: Pse lidershipi aktual i BE-së fshihet pas rregullimit?
Përballë këtij hendeku katastrofik, sjellja e lidershipit aktual të Bashkimit Evropian ngre një pyetje thelbësore: Pse elita e sotme e Brukselit sillet si struci që fsheh kokën në rërë?
Përgjigjja nuk mund të gjendet thjesht te paaftësia, por te frika ekzistenciale për të pranuar krizën strukturore të modelit të saj të qeverisjes. Pranimit të realitetit do t’i duhej t’i paraprinte një autokritikë e thellë për shkatërrimin e bazës sonë konkurruese përmes mbirregullimit, sanksioneve të tepruara dhe kornizave mbytëse, të cilat e kanë futur kontinentin në një periudhë dritëhijeje.
Në mungesë të kapaciteteve për të prodhuar inovacion, lidershipi aktual strehohet te iluzioni se rregullat morale dhe aktet burokratike (si AI Act) mund të zëvendësojnë pushtetin e vërtetë industrial. Ata janë kthyer në oficerë compliance-i që administrojnë rënien, në vend të burrështetasve që drejtojnë historinë.
Vdekja e Idealizmit dhe nevoja për një kthesë drejt Realpolitikës
Për vite të tëra, projekti evropian u ushqye nga një idealizëm i pakushtëzuar se tregu i përbashkët dhe normat rregullatore do të mjaftonin për ta kthyer Bashkimin Evropian në një fuqi normative globale. Por sot, ky evropianizëm me pasion dhe retorikë integruese nuk është më në modë — ai është bërë i papërshtatshëm përballë një bote që qeveriset nga rivaliteti i hapur ndërmjet fuqive të mëdha.
Përballë dështimit të këtij dogmatizmi burokratik, Europa ka nevojë urgjente për një rikthim te Realpolitika. Kjo kërkon braktisjen e iluzioneve se teknologjia dhe siguria mund të rregullohen me dekrete miope, dhe pranimin e faktit se sovraniteti fitohet vetëm përmes kapaciteteve të mirëfillta industriale, investimeve strategjike dhe autonome, dhe forcës gjeopolitike.
Kontrasti Historik: Nga Delors te voidumi i sotëm
Për ta kuptuar më mirë këtë degradim strukturor, mjafton të bëjmë një krahasim të thjeshtë historik: shihni se sa shpejt dhe me sa guxim lëvizi Europa nën udhëheqjen e Jacques Delors. Ishte vizioni i tij ai që e shndërroi integrimin në një forcë gjeopolitike dhe transformuese, duke çuar deri te krijimi i Bashkimit Ekonomik dhe Monetar (EMU) — një vepër që kërkonte vullnet politik dhe qartësi strategjike.
Në kontrast të plotë me epokën e Delors, lidershipet e mëvonshme dhe veçanërisht ai i sotmi i Komisionit Evropian karakterizohen nga de-politizimi, kompromiset e ngushta dhe menaxhimi reaktiv i krizave të çastit. Kur në krye të ekzekutivit evropian ke figura që udhëhiqen nga kalkulime burokratike e jo nga doktrina gjeopolitike, rezultati i pashmangshëm është ky që shohim sot: një Europë që mbetet gjysmë e kolonizuar, e cila lëshon alarme post-factum pasi treni i teknologjisë ka ikur prej kohësh.
Përfundim
Zgjimi i vonuar i dëshmuar te rasti i Lagarde dhe paraliza e Komisionit Evropian dëshmojnë se kontinentit i duhet një katharsis politik. Përndryshe, nëse Euroskleroza e re vazhdon të menaxhohet me të njëjtën verbëri “struci” dhe pa një kthesë drejt realpolitikës, fati i Evropës do të jetë ai i një muzeu të pasur, por të pafuqishëm, që i nënshtrohet vullnetit të perandorive të huaja dixhitale.
Referencat (Stili APA)
- Delors, J. (1994). Memoirs. London: Collins. (Për qasjen vizionare mbi ndërtimin e EMU-së dhe institucioneve evropiane).
- Drake, H. (2000). Jacques Delors: Perspectives on a European Leader. London: Routledge. (Analizë mbi lidershipin transformues në historinë e BE-së).
- European Central Bank (ECB). (2026). Speech by Christine Lagarde, President of the ECB, on Artificial Intelligence, Productivity and Europe’s Strategic Choices. Vienna, Austria.
- Hajdini, E. (2026a). Fronti i Ri: Pse çdo ambasadë ka nevojë për një ‘Dërguar Kryesor Digjital’ (CDE).
- Hajdini, E. (2026b). The Digital Protectorate: How the EU AI Act Codified Silicon Valley’s Monopoly (Pjesa I & II),.
- Hajdini, E. (2026c). Aleanca si Monedhë: Kur ‘Friend-shoring’ sfidon produktivitetin evropian.
- Ross, G. (1995). Jacques Delors and European Integration. New York: Oxford University Press.
- Wallace, H., Pollack, M. A., & Young, A. R. (2020). Policy-Making in the European Union (8th ed.). Oxford University Press. (Mbi evolucionin e eurosklerozës dhe dinamikat burokratike të Komisionit).
© 2026 Argumentum




















































