Aeroplanmbajtësja franceze ”Charles de Gaulle” do të pozicionohet paraprakisht në rajonin e Gjirit, një sinjal se koalicioni i formuar nga Londra dhe Parisi është gati të sigurojë Ngushticën e Hormuzit, rihapja e së cilës, sipas presidencës franceze, duhet të jetë e pavarur nga negociatat midis Teheranit dhe Uashingtonit.
“Aeroplanmbajtësja ‘Charles de Gaulle’ dhe anijet e saj shoqëruese do të kalojnë Kanalin e Suezit më 6 maj 2026, në rrugën drejt Detit të Kuq”, njoftoi Ministria franceze e Forcave të Armatosura në një deklaratë.
Parisi dhe Londra kanë punuar prej disa javësh për të organizuar një mision neutral për të rivendosur lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, bllokada ”de facto” e të cilit që nga fillimi i konfliktit midis Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit më 28 shkurt ka tronditur ekonominë globale.
”Kalimi tranzit i Kanalit të Suezit nga anija kryesore e flotës franceze dërgon sinjalin se jo vetëm që jemi gati të sigurojmë Ngushticën e Hormuzit, por se jemi edhe të aftë ta bëjmë këtë”, shpjegoi një këshilltar i Emmanuel Macron, duke folur në emër të koalicionit të vendeve jondërluftuese, të nisur në prill.
Më shumë se 40 vende të gatshme për të marrë pjesë në këtë mision sigurie po kryejnë punë planifikimi në Londër.
“Tani kemi një plan plotësisht operacional, në një qëndrim që mbetet tërësisht mbrojtës”, sipas presidencës franceze, e cila e përshkruan atë si “një manovër realiste, në një distancë nga palët ndërluftuese”.
Bllokada e Ngushticës së Hormuzit nga Irani vazhdon pavarësisht një armëpushimi që hyri në fuqi më 8 prill.
”Dje, një anije kontejnerësh që i përkiste kompanisë franceze të transportit detar CMA CGM u shënjestrua në Ngushticën e Gjibraltarit nga një sulm që në asnjë mënyrë nuk kishte për qëllim posaçërisht Francën”, sipas vërejtjeve të Macron, të raportuara sot nga zëdhënësi i qeverisë.
/Argumentum.al



























































