REAL POLITIK NR. 124
1 – 30 PRILL 2026
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i Madh në Diplomaci
DR. JORGJI KOTE
1. IBARI trampolinë apo pengesë? Pas euforisë së çeljes së gjashtë grupkapitujve të negociatave të anëtarësimit në BE më 2025, këtë vit na ka hasur sharra në gozhdë me IBARI-n ose Raportin e Vlerësimit të Ndërmjetëm të Piketave, të paraqitur nga Komisioni Europian për vendin tonë. Ndërkohë, në të 4 – 5 takimet e zhvilluara gjatë muajit Prill nga COALA ose Grupi i BE-së që merret me Zgjerimin ende nuk është arritur dakordësimi për miratimin e tij; mesa duket, deri në muajin Qershor do të vazhdojnë të bëhen me dhjetra pyetje, kërkesa për sqarime; dhe këto jo më nga një e dy, por nga tetë vende të BE-së. Dhe këtu, vetëm një është vend i madh, Gjermania, të tjerët janë të mesëm – Greqia, Finlanda, Suedia, Polonia, Bullgaria; madje një prej skeptikëve është shtet i vogël por me emër dhe tradita të mëdha europiane – Luksembuergu, i cili na ka mbështetur në të gjithë procesin e integrimit Euro-Atlantik. E keqja është se pyetjet, dyshimet dhe kërkesat për sqarime lidhen me kapitujt 23 dhe 24, ose ” artileria e rëndë” e BE-së dhe ” Thembra e Akilit” për ne, mbasi lidhen me drejtësinë, gjyqësorin, luftën knudër krimit dhe korrupsiont në sferat e larta, etj. Aty ku problemet tona po ulërasin për zgjidhje. Padyshim që çështja Balluku, edhe pse jo e vetmja përbën kulmin e kundërshtive dhe skepticizmit të BE-së. Sepse për ta është e paimagjinueshme dhe e pajustifikueshme që Kuvendi të mos lejojë arrestimin e saj të kërkuar nga SPAKU. Pa shkuar më larg, vetëm disa ditë më parë, kur Rama ishte në Athinë, Parlamenti grek dha lejen për hetime të mëtejshme për plot 13 deputetë të Partisë së Kryeministrit Mitsotakis “Nea Demokracia“ pas skandalit me fondet e BE-së për Bujqësinë. Ndërsa te ne ndodh krejt e kundërta, duke ngritur shumë pikpyetje dhe shqetësime te shumë vende anëtare të BE-së. Ndaj, nuk ka pse të habitemi që “të mëdhej dhe të vegjël“ deri tani nuk po i japin viston IBARIT të Komisionit Europian për vendin tonë. Kësisoj, në vend që të ishte një trampolinë për më tej, IBARI po kthehet në një pengesë serioze për përparimin tonë të mëtejshëm në këtë proces historik.
2. A e kapim dot Trenin e Negociatave 2027? Meqenëse edhe Prilli iku, tani mendjen dhe sytë i kemi heedhur në Qershor për të kapur “Trenin“ e negociatave 2027. Deri tani pa ndonjë lajm premtues; përkundrazi, pyetjet, kërkesat dhe skepticizmi janë shtuar dhe asnjë nga tetë vendet nuk është tërhequr. Mirëpo, nëse nuk e mbyllim Grup Kapitullin e parë as në Qershor, çka përfaqëson ¼ e kohës maksimale pa asnjë kapitull të mbyllur atëhere kjo do të verë seriozisht në pikpyetje realizimin e objektivit madhor për anëtarësimin në BE brenda vitit 2030. Ndaj pyetja nëse do ta kapim Trenin e BE-së për Negociatat 2030 mbetet ende pa përgjigje.
3. Kur lajmin e bën veshja! Më 21 – 22 Prill, Kryeministri Rama ishte në Athinë ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit. Me atë rast, Kryeministri grek Mitsotakis e priti në rezidencën e tij zyrtare. Një sinjal premtues që më në fund të fillojmë zgjidhjen e telasheve të shumta që kemi, duke filluar nga Marrëveshja e Detite e cila na qëndron prej vitesh mbi kokë si “ shpata e Demokleut”. Mirëpo veç fjalëve të bukura dhe premtimeve, asgjë e re. Madje, lajmi që bëri jehonë në median greke dhe atë shqiptare ishte veshja e papërshtatshme e Ramës në atë takim zyrtar. Edhe pse kjo nuk është dukuri e re për të, këtë radhë, nisur nga serioziteti i takimit të shumëpritur, ajo veshje ishte e papranueshme. Ca më tepër kur qeveria ka miratuar një kod etike dhe veshjeje, por i pari i saj e shkel me të dyja këmbët! Rama fajësoi Protokollin e Shtetit, se demek nuk e kishte njoftuar për vendin dhe formatin dinjitoz të takimit. Mirëpo, “edhe bufi e di“ se kur takon homologun tënd, pavarësisht nga vendi, kërkohet detyrimisht veshje me kostum, kollaro, me këpucë dhe jo atlete. Sepse kështu tregon se je në krye të detyrës, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë dhe me respekt për mikpritësin. Media greke e “kryqëzoi“ Kryeministrin tonë, duke treguar edhe qenin e Mitsotakis të çuditur nga veshja e mysafirit të lartë shqiptar. Nuk po hyjmë pastaj te përgënjeshtrimi nga pala greke i lajmit mbi dakordësimin e dërgimit të dosjes së Detit në Hagë, ndonëse ka mbi 5 vjet që e dëgjojmë këtë “përrallë nga e kaluara“. Gjithsesi urojmë të mos na ndodhë si me shprehjen “prit gomar, të mbijë bar”.

4. Prilli zgjedhor europian në barazim 1:1! Eshtë fjala për rezultatet në zgjedhjet parlamentare të shumëpritura të zhvilluara më 12 dhe 19 Prill në Hungari dhe në Bullgari. Në Hungari, pas 16 vitesh në pushtet të Kryeministrit Orban fitoi sfidanti i tij, Peter Magyar i krahut reformist dhe pro – BE-së. Ishte një fitore plebishitare dhe ngjarje pozitive për BE-në; sepse veç të tjerash, i dha fund bllokimit të vendimeve të saj nga vetoja e Budapestit, duke përfshirë tani së fundi paketën me 90 Miliard Euro ndihma për Ukrainën; por edhe telashet e tjera të krijuara për shkak të demokracisë jo liberale që propagandon Hungaria, si alternativë e kundërt ndaj demokracisë liberale të BE-së. Në një kohë kur e djathta ekstreme është në sulm në Europë, fitorja e Magyar është tejet premtuese; ajo tregon se populizmi pa alternativa bindëse afat-gjatë ka një kufi dhe një fund.

Mirëpo, ende pa mbaruar gëzimi hungarez, në zgjedhjet e datës 19 Prill në Bullgari, fitoi bindshëm ish Presidenti Radev, euroskeptik dhe shumë pranë Rusisë dhe Putinit. Edhe fitorja e tij ishte plebishitare, pas krizave qeveritare të pesë viteve të fundit. Radev disa muaj përpara zgjedhjeve hoqi kostumin presidencial dhe drejtoi partinë e tij me sukses drejt pushtetit. Kësisoj, tani rrezikohet që vendin e Orbanit të zerë Radev, duke e kërcënuar sërish BE-në me veton e tij të pritshme, siç edhe është shprehur. Kjo sidomos për mbështetjen e nevojshme për Ukrainën. Fitorja e Radev nuk është lajm i mirë as për vendin tonë dhe sidomos negociatat e anëtarësimit në BE; në fakt, Bullgaria bën pjesë në ato vende që ende nuk po e miratojnë IBARIN për Shqipërinë. Ja pse e quajtëm rezultatin e këtij Prilli zgjedhor si barazim 1:1 për BE-në.
© 2026 Argumentum



























































