Sot mbushen 23 vjet nga masakra në Rezallë të Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.
Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.
Nga masakra në Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se tre të mbijetuarit e masakrës së Rezallës kanë shpëtuar rastësisht, pasi “qëllimi ka qenë që të mos e lënë asnjë të gjallë.
Sipas Kurtit, “kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.
“Nuk ka dyshim që gjenocidi i Serbisë njihet edhe botërisht, përveçse nga ne shqiptarët që e përjetuam, andaj edhe drejtësia vendore, edhe ajo ndërkombëtare, duhet që pa vonesë dhe me ngulm të veprojnë, në mënyrë që përgjegjësit edhe urdhërdhënësit, edhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se trupat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, po mbahen ende brenda Serbisë.
Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se masakra e Rezallës është dëshmi e fortë për faktorin ndërkombëtar “që t’i bëjë presion Serbisë për krimet që ka bërë në Kosovë”.
“Të gjitha këto varre këtu janë dëshmia më e fortë për të gjithë ata që ende kanë hezitime apo hamendje në kokat e tyre se çfarë sakrificash, çfarë vuajtjesh ka pasur populli ynë, familjet tona, për të arritur te kjo ditë”.
Argumentum.al