Kryediplomatja europiane Federica Mogherini, paralajmëroi se BE-ja do të pendohet nëse nuk pranon me shpejtësi në gjirin e vet Ballkanin. Duke iu adresuar konferencës së Ambasadorëve në Bruksel, ajo theksoi se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi për të gjithë kontinentin. Thirrja e Mogherinit vjen ndërsa mes vendeve anëtare nuk ka unitet për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shefja në largim e Politikës së Jashtme dhe e Sigurisë e Bashkimit Europian Federica Mogherini i bëri thirrje bllokut të ruajë prani të fuqishme në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të arrihet pranimi i rajonit.
“Jam e bindur, se nëse nuk do ta bëjmë këtë, do të pendohemi brenda disa vjetësh”, deklaroi Mogherini.
Duke iu adresuar konferencës së Ambasadorëve të BE-së në Bruksel, ajo shtoi se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor është çështje riintegrimi e mbarë kontinentit europian dhe domosdoshmëri për Ballkanin dhe për vetë BE-në.
“Ne kemi një interes për të gjithë Ballkanin që të anëtarësohet në BE. E dimë se është një proces i gjatë, i ndërlikuar dhe jetësor që do të kërkojë shumë kohë, zgjidhje problemesh dhe vendosmëri politike nga të gjitha palët,” tha Mogherini.
Me kurajë, udhëheqje dhe vendosmëri ne mund t’ia dalim të rruajmë praninë e fortë të BE-së çdo ditë në të gjithë Ballkanin, shtoi Mogherini, duke nënvizuar si qëllim përfundimtar bashkimin e BE-së me Ballkanin.
Thirrja e kryediplomates vjen ndërsa mes vendeve anëtare nuk ka unitet për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi për këtë do të merret nga Këshilli Europian në takimin e 17 dhe 18 tetorit.