Një muze kinez publikoi të martën detaje të eksperimenteve tronditëse me njerëz të gjallë të kryera nga Ushtria Perandorake Japoneze gjatë pushtimit të Kinës, ndër të cilat edhe transfuzion të gjakut të kafshëve te qeniet njerëzore.
Një raport i arkivuar në Sallën e Ekspozitës së Provave të Krimeve të Kryera nga Njësia 731 e Ushtrisë Perandorake Japoneze, i shkruar nga kirurgu ushtarak japonez Tsutomu Saito, konfirmoi se në vitin 1938 forcat japoneze përdorën gjak të marrë nga kuaj, dele, qen, lepuj e pula për të kryer eksperimente mbi 23 të burgosur lufte.
Sipas Jin Shicheng, një studiues në sallën e ekspozitës, raporti mbi transfuzionin ksenogjenik të gjakut për hemorragji akute u botua në një revistë nga Korpusi Mjekësor i Ushtrisë Japoneze më 1 gusht 1940, pasi studimi u paraqit në një konferencë mjekësore ushtarake japoneze që u zhvillua në mars të atij viti.
Gjatë kërkimit për gjetjen e zgjidhjeve lidhur me ndihmën e shpejtë në fushën e betejës, Ushtria Perandorake Japoneze testoi një gamë të gjerë metodash të transfuzionit të gjakut, duke përfshirë gjakun e konservuar, serumin, gjakun e tharë dhe madje edhe gjakun e marrë nga kufomat. Në kërkim të së ashtuquajturës “zgjidhje optimale” për furnizimin me gjak në raste urgjente, Saito propozoi idenë e transfuzionit të drejtpërdrejtë të gjakut të freskët të kafshëve te subjektet njerëzore.
Hulumtimet treguan se në eksperimentet e “humbjes akute masive të gjakut”, trupat japoneze regjistruan me detaje gjendjen e viktimave pasi u ishin marrë 1 200 deri në 2 500 mililitra gjak.
Regjistrimet i përshkruanin ata si “plotësisht të pavetëdijshëm”, me “cianozë të rëndë në të gjithë trupin”, lëkurë që merrte një “ngjyrë kufome” dhe “frymëmarrje të shpejtë, duke rënë në gjendje mbytjeje”. Pasi iu injektuan gjak kafshësh, disa viktima urinuan me gjak dhe kishin temperaturë të lartë, të dridhura e reaksione të tjera akute të ngjashme me refuzimin dhe anormale.
Të shtunën e kaluar, media japoneze “Kyodo News” transmetoi një raport lidhur me eksperimentin njerëzor japonez që përfshinte gjakun e kafshëve, duke vënë në dukje se praktika të tilla përbënin një shkelje të qartë të etikës mjekësore.
Pushtuesit japonezë, të cilët kryen eksperimente njerëzore në shkallë të gjerë dhe të tmerrshme dhe luftë bakterologjike, do të gozhdohen përgjithmonë në shtyllën e përjetshme të turpit, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Guo Jiakun në një konferencë të përditshme për median në përgjigje të një pyetjeje të lidhur me këtë çështje.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat pushtuese japoneze krijuan një rrjet të luftës bakterologjike në shumë vende aziatike, me Njësinë 731 të vendosur në Harbin, kryeqendrën e provincës Heilongjiang të Kinës Verilindore, që shërbeu si një bazë sekrete për armët bakterologjike dhe eksperimentet njerëzore./CGTN



























































