Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedonia e Veriut, ku u prit nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova në Vilën “Vodno” në Shkup.
Në konferencën e përbashkët për media, Rutte lavdëroi përkushtimin dhe kontributin e ushtarëve të Maqedonisë së Veriut në ruajtjen e paqes në krahun lindor të NATO-s. Ai theksoi se vendi aktualisht ndan pak mbi 2% të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) për mbrojtjen dhe përshëndeti synimin që kjo përqindje të rritet në 5% deri në vitin 2035.
“Nuk është koha për vetëkënaqësi. Të gjithë aleatët duhet të bëjnë më shumë, duke rritur investimet në mbrojtje dhe duke financuar plotësisht misionet dhe aktivitetet e NATO-s. Kjo do të sjellë më shumë siguri, rritje më të madhe ekonomike dhe më shumë vende pune”, deklaroi Rutte.
Ai e cilësoi Maqedoninë e Veriut si një aleat me vlerë, duke theksuar kontributin e saj në mbrojtjen kolektive, përfshirë mbështetjen për Ukrainën dhe pjesëmarrjen në misionet e drejtuara nga NATO. Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të vendit në misionin Kosovo Force (KFOR) në Kosovë.
Rutte theksoi se bashkëpunimi është thelbësor për mbrojtjen e sigurisë së përbashkët dhe nënvizoi rëndësinë e rolit të Maqedonisë së Veriut në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, rajon me rëndësi strategjike për Aleancën.
Ai përmendi gjithashtu Samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Ankara në muajin korrik, ku një nga temat kryesore pritet të jetë rritja e objektivave të shpenzimeve për mbrojtje përtej pragut aktual prej 2% të BPV-së, pasi ky nivel konsiderohet i pamjaftueshëm për garantimin e sigurisë afatgjatë.
/Argumentum.al





























































