Ndikimi i konfliktit Rusi-Ukrainë në aktivitetin e aviacionit civil

Ekskluzivisht për “Argumentum”

Nga Redion LULI*

Sektori i aviacionit civil ishte ende duke u rikuperuar nga pasojat që solli pandemia e Covid-19, kur u gjend përballë sfidave të shumta lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë. Situata në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë kanë sjellë me vete vështirësi të panumërta për industrinë e aviacionit civil.

Që nga fillimi i konfliktit, hapësira ajrjore e Ukrainës u mbyll për aviacionin civil. Agjencia e Sigurisë së Aviacionit e Bashkimit Evropian, ose EASA, ka paralajmëruar se avionët civilë që fluturojnë pranë kufirit me Ukrainën përballen me një “rrezik të lartë”. Ekziston rreziku i shënjestrimit të qëllimshëm nga sistemet raketore të mbrojtjes anti-ajrore dhe i identifikimit jo të saktë të avionëve civilë.

Nga ana tjetër, BE-ja, Kanadaja, Britania e Madhe, SHBA-të dhe vende të tjera kanë ndaluar fluturimet e avionëve rusë në hapësirën e tyre ajrore. Rusia është kundërpërgjigjur duke ndaluar fluturimet e avionëve civilë të vendeve “jomiqësorë” në qiellin e saj.

Edhe Republika e Shqipërisë në ditën e tretë të konfliktit të armatosur në Ukrainë mori vendimin për mbylljen e hapësirës ajrore të Shqipërisë për avionët rusë. Hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë do të jetë e mbyllur për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, me përjashtim të rasteve kur të tilla fluturime kryen për arsye emergjence, qëllime humanitare, mjekësore apo nevoja ndërshtetërore.

Pas nisjes së ofensivës ushtarake nga ana e Federatës Ruse në Ukrainë (sipas palës ruse – operacioni special ushtarak në Ukrainë), BE-ja në kuadër të sanksioneve ndaj Rusisë miratoi Rregulloren 2022/328 më 25 shkurt 2022. Sipas pikës 1 të nenit 3c të kësaj rreguloreje, ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksportimi, drejtpërdrejt ose në  mënyrë indirekte, i mallrave dhe teknologjisë së përshtatshme për përdorim në aviacion ose industrinë hapësinore, siç renditen në shtojcën XI [shtojca XI thjesht liston “avionët, anijet kozmike dhe komponentët e tyre”], me origjinë ose jo nga Bashkimi Europian, me destinacion – personat fizikë ose juridikë, subjektet ose organet shtetërorë në Rusi ose për përdorim në Rusi. Neni 3c i Rregullores 2022/328 përfshin gjithashtu ndalimet për riparimin, inspektimin e një avioni ose komponentëve të tij (me përjashtim të kontrolleve para fluturimit) dhe ofrimin e asistencës teknike, shërbimeve të ndërmjetësimit ose asistencës financiare referuar avionëve për çdo person fizik ose juridik, ose subjekt ose organ në Rusi ose për përdorim në Rusi. Duhet theksuar se të gjithë avionët e flotës ajrore civile ruse janë pjesërisht ose plotësisht të varur nga pjesët e këmbimit të importuara.

Sanksionet e BE-së detyrojnë gjithashtu qiradhënësit të kërkojnë kthimin e avionëve të marrë me qira nga kompanitë ajrore ruse, që përbëjnë deri në 70% të të gjithë flotës ajrore civile ruse. Sipas llogaritjeve të kompanisë analitike Cirium, nga 980 avionë, 777 janë marrë me qira, 515 prej tyre janë pronë e kompanive të huaja. Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë u ka bërë thirrje kompanive ajrore ruse me avionë të marrë me qira që të pezullojnë fluturimet ndërkombëtare. Kompanitë ajrore S7 dhe Aeroflot e kanë respektuar këtë rekomandim, ndërsa kompanitë e tjera ruse të transportit civil ajror vazhdojnë të marrin turistë rusë nga jashtë vendit dhe ndonjëherë përballen me probleme – për shembull, më 6 mars, një avion i “Ural Airlines” nuk mundi të ngrihej nga aeroporti egjiptian i Sharm el-Sheikh pas kërkesës së kompanisë qiradhënëse për sekuestrimin e avionit.

Pasojë e pashmangshme e sanksioneve për aviacionin civil në Rusi do të jetë ulja e sigurisë së fluturimeve. Fluturimet e sigurta të avionëve civilë mund të garantohen vetëm nëpërmjet furnizimit të pandërprerë me pjesë këmbimi origjinale, mirëmbajtjen cilësore të avionëve dhe punën e vazhdueshme me dokumentacionin e hartuar nga kompania prodhuese e avionëve, i cili përditësohet vazhdimisht. Të gjithë opsionet e tjerë – përdorimi i dokumentacionit tjetër, përdorimi i pjesëve të tjera rezervë jo-origjinale – në çdo rast zvogëlojnë sigurinë e fluturimeve. Aktualisht, pjesa më e madhe e avionëve të përdorur nga transportuesit ajrorë rusë prodhohen nga dy kompani të huaja – Boeing-u amerikan dhe Airbus-i europian. Ndalimi i furnizimit me pjesë këmbimi të këtyre avionëve do të thotë se ata nuk mund të riparohen dhe mirëmbahen në kohë. Furnizimi me pjesë këmbimi nga vendet që nuk kanë vendosur sanksione kundër Rusisë është gjithashtu ende në pikëpyetje. Më 10 mars, thuhet se Kina refuzoi të furnizonte me pjesë këmbimi avionët rusë. Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë ka deklaruar se do të diskutohet me Turqinë dhe Indinë mundësia e furnizimit me pjesë këmbimi të avionëve të kompanive ajrore ruse.

Sanksionet e ndërsjella dhe kufizimet ajrore kanë tronditur sektorin e aviacionit civil, duke çuar në anulimin ose ndryshimin e itinerarëve të fluturimeve, rritjen e çmimeve të biletave, kostot më të larta të karburantit dhe problemet lidhur me furnizimin me titan.

Kombinimi i sanksioneve dhe kufizimeve ajrore ka detyruar disa kompani ajrore të pezullojnë ose të ndryshojnë korridoret ajrore për realizimin e fluturimeve të tyre. Kompania kryesore ajrore e Rusisë, Aeroflot, ka njoftuar se po ndalon të gjitha fluturimet e saj ndërkombëtare, përveç atyre në Bjellorusi, ndërsa kompania e dytë më e madhe e vendit, S7, ka pezulluar gjithashtu fluturimet e saj ndërkombëtare.

Avionët e linjave ajrore jo-ruse duhet të bëjnë devijime për të shmangur fluturimin nëpërmjet hapësirës ajrore ruse, duke detyruar disa kompani europiane të transportit ajror të anulojnë fluturimet e tyre drejt Azisë. Fluturimet në hapësirën ajrore ruse janë të rëndësishme për shumë prej transportuesve aziatikë për itineraret që ata mbulojnë drejt Europës Perëndimore, veçanërisht për linjat ajrore nga Azia Verilindore. Duhet më shumë karburant dhe kohë për të ndryshuar korridoret ajrore dhe shmangia e hapësirës ajrore ruse do të shtojë deri në 6% kohën e fluturimit për shumë itinerare ajrore standarte midis Azisë dhe Europës. Për një fluturim nga Parisi në Tokio, shmangia e hapësirës ajrore ruse shton më shumë se 1000 milje distancë dhe 150 minuta kohë fluturimi, sipas Eurocontrol – Agjencisë europiane të trafikut ajror.

Hulumtimi i kryer nga GlobalData thotë se “rritja e kostove të karburantit do të ndikojë në përfitimin ekonomik të kompanive ajrore, të cilat janë ende duke u rikuperuar pas rënies së kërkesës si rezultat i pandemisë së Covid-19”. E thënë më thjesht, hapësira ajrore e mbyllur nënkupton kohë më të gjatë fluturimi, më shumë karburant, më shumë orë fluturimi për pilotët, kosto më të larta dhe rrjedhimisht tarifa më të larta.

Anulimi i fluturimeve, itinerarët më të gjatë, kostoja më e lartë e karburantit dhe rritja e inflacionit janë vetëm disa nga arsyet e rritjes së çmimit të biletave të transportit ajror. Në fakt, të dhënat nga Google Flights tregojnë se çmimet e fluturimeve jashtë Rusisë po rriten pas sanksioneve. Si rezultat, rusët që kërkojnë të udhëtojnë në Europë përballen me çmime shpesh të papërballueshme të biletave. Kjo do të sjellë një dëm ekonomik edhe për ato destinacione që cilësohen si të preferuara nga turistët rusë.

Konflikti Rusi-Ukrainë po ngre gjithashtu shqetësime për një mungesë të mundshme të furnizimit me titan. Në hulumtimin e GlobalData thuhet se “titani është një metal kyç që përdoret për prodhimin e avionëve”. Ukraina dhe Rusia janë ndër prodhuesit kryesorë të titanit dhe konflikti i gjatë mund të ndikojë në furnizimin me titan në të ardhmen e afërt.

Paparashikueshmëria e situatës në Ukrainë dhe paqartësia e kohëzgjatjes së konfliktit përbën një problem të madh për aeroportet. Industria e aviacionit civil do të duhet përsëri “të marrë frymë thellë” dhe të përgatitet për hartimin e strategjive që do të garantojnë mbijetesën e saj.

/Argumentum.al

© 2022 Argumentum

*Autori: PhD. Redion Luli – Ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare Publike,  lektor në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë