Prof. Dr. Fadil Maloku
Analizë sociologjike;
(Ose: Vjosa Osmani, mes dramës “hamletiane” politike dhe ambicies për pushtet moral)
Teoritë e ndryshme mbi lëvizjet e trupit, gjestikulacionin dhe artin e të folurit, po edhe stilin e qëndrimit, madje edhe mimikën e fytyrës bashkë me mënyrën e ecjes dhe intonacionin e zërit, janë simptoma dhe elemente mjaft domethënëse për të analizuar e interpretuar “performancën apo llukun social” të një politikani apo personaliteti që e (ri)fillon marrjen me punët publike në një shoqëri të emancipuar politikisht.
Zakonisht, këto finesa e cilësi, kisha me thënë, shërbejnë jo vetëm për të dekonspiruar “sekretet” e (mos)sukseseve të një grupimi politik, por edhe për të ilustruar kuptimet, autoritetin, po edhe emocionet që personalitetet e caktuara tentojnë t’i fusin në “menynë suedeze”, vetëm e vetëm që ta ngrisin rejtingun e tyre në “sytë” e publikut të gjerë, që herë pas here di të shndërrohet edhe në zhgënjim, sidomos në shoqëritë e tranzicionit, sikurse jemi ne në Kosovë.
Në ndërkohë, është interesant për t’u theksuar që edhe ndër politikanët, po edhe figurat tjera publike, ka filluar të kalkulohet me imazhet dhe karizmat, dhe kanë filluar ta ndërtojnë imazhin dhe karizmën e tyre përmes asaj që shquhet si “menaxhimi i përshtypjes” (impression management), ku trupi, mimika, mënyra e ecjes, ajo e shprehjes dhe gjestikulacionit bëhen pjesë përbërëse e ndërtimit të autoritetit politik, afërsisë sociale, po edhe ngjalljes së frikës për rivalët politikë e ideologjikë.
P.sh. ca liderë partiakë e shtetërorë që flasin me dorë të ngritur, me shikim të fortë e ritëm të kontrolluar në publik, zakonisht synojnë të krijojnë përshtypjen e udhëheqësit të fortë e me vetëbesim të lartë në vetvete dhe ideologjinë që ata përfaqësojnë. Ka edhe të atillë që këtë dhunti e shoqërojnë edhe me format e reja të socializimit kulturor, vetëm e vetëm që ta arrijnë gradën e “autoritetit karizmatik”, që nënkupton udhëheqje të pakontestuar dhe aftësi për t’i futur masat e gjera në deliriumin e “spektaklit emocional”.
Këto soje lidershipi, për të lënë përshtypje mbresëlënëse në publik, nuk ngurrojnë madje asnjëherë që në “katalogun” e imponimeve të tyre publike të fusin në funksion edhe elementet e fjalimeve dramatike e emocionale, po edhe format e retorikës blasfemuese ndaj kundërshtarëve apo rivalëve të përbetuar politikë. Dhe këso “skenash” stigmatizuese e paragjykuese, ne kemi mundur t’i “testojmë” edhe në përvojën tonë të shkurtër demokratike.
Tani, nëse i adresohemi fjalimit, pra mimikës, gjestikulacioneve të herëpashershme, po edhe intonacionit të zërit të Vjosa Osmanit që e mbajti në “Tubimin e Bashkimit” të LDK-s duke i quajtur disa herë frikacakë ish-bashkëpunëtorët e saj të deridjeshëm në LVV-sje mund të themi se ishte një përpjekje e qartë e saj për ta rikthyer autoritetin dhe legjitimitetin e saj të luhatur politik e moral.
Themi kështu edhe për shkakun se ky fjalim nuk ishte decidivisht vetëm një fjalim elektoral apo emocional, anipse ka ngjyrime të kësaj natyre, por ishte edhe një diskurs i bazuar mbi tri teza apo tri narrativa aktuale sociopolitike të vendit.
E këto teza apo narrativa që u “prekën” nga Vjosa Osmani ishte; e para, ajo e polarizimit ekstrem moral të shoqërisë që e riprodhoi ngërçi; E dyta ajo e tendencës së rikthimit në atë që ajo e identifikoj si “filozofi rugoviane”; Dhe tema apo narrativa e tretë ishte tentativa për të imponuar një diskurs të ri mbi “republikën e rrezikuar”.
Pra, që të tria këto teza apo narrativa të “munguara”, sipas Vjosës, do të jenë ai strumbullari rreth të cilit ajo mendon ta ringjallë perceptimin e kosovarëve për veten e saj dhe për subjektin që do t’i prijë në zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Një qasje e këtillë shihet shumë qartë që e ka për imperativ një ndarje binare të realitetit tonë të trazuar politik, që kur thjeshtësohet në antipodet “NE” (djathtistët), që jemi bartësit, artikuluesit, po edhe gardianët e vërtetë të “amanetit të shtetësisë së njëmendtë rugoviane”, dhe “ATA” (majtistët), që de facto e de jure janë bartësit dhe artikuluesit e “propagandës”, “krizës”, “izolimit” dhe “frikës” në këtë vend, shpresohet të bëhet realitet pas 7 qershorit…
Ajo çfarë për mua si sociolog që mu duk më interesante në këtë fjalim të Vjosa Osmani ishte se ajo, me këtë prononcim, në fakt e hodhi gurin parë themeltar të një distancimi të munguar opozitar jo vetëm politik, por edhe moral e etik ndaj LVV. Që i bie se ajo po tentonte ta afirmojë idenë dhe konceptin e asaj që në sociologjinë politike shquhet si tendencë për të vënë “monopol simbolik mbi patriotizmin e shtetit” të Republikës. Sepse, sipas këtij prononcimi të parë masiv, bashkëudhëtari i saj i deridjeshëm (LVV) nuk do të projektohet më vetëm si një rival i rëndomtë politik e ideologjik, por edhe si një rrezik potencial që është duke i shkatërruar institucionet e Republikës!?
Teza e parë, lidhur me arsyet për këtë digresion që po mundohem ta bëj, janë fjalët që ajo i përdori në diskursin e saj në këtë tubim, si: “rruga e izolimit”, “patriotizmi i rrejshëm”, pastaj “frikacakët”, si edhe ato “ushqehen nga kriza” dhe “e shndërrojnë eliminimin në mision”. Pra, në këtë fjalim kemi një diskurs tejet të ashpër, e kisha me thënë edhe me doza populiste (pra një stil i njohur tashmë nga lideri i LVV, Albin Kurti), ku kundërshtari i sotëm, po edhe i ardhshëm, tentohet të delegjitimohet dhe të zhvishet jo vetëm nga aureola politike, por edhe ajo morale.
Teza e dytë, që po ashtu ishte shumë domethënëse, është rikthimi i fuqishëm te figura e Ibrahim Rugovës apo siç e përdorin ca manipulantë partiakë, te “filozofia rugoviane”. Duhet të jemi të qartë dhe objektivë: kur Vjosa Osmani përmend “amanetin e Rugovës”, ajo nuk po apelon vetëm në ish-karizmën e një lideri historik, por po tenton ta aktivizojë një kapital simbolik kolektiv që ende qarkullon në memorien politike të kosovarëve, siç janë: shteti institucional, aleanca me Perëndimin dhe kultura e moderimit politik. Ose thënë më ndryshe, Vjosa Osmani në këtë tubim bëri përpjekje maksimale për ta ilustruar veten e saj si trashëgimtare të vetme legjitime të kapitalit simbolik rugovian dhe për ta paragjykuar e stigmatizuar bashkëudhëtarin e saj të deridjeshëm e kundërshtarin e saj të tanishëm edhe si deviacion nga premisat euro-atlantike të procesit të shtetformimit të Kosovës. Thënë më popullorçe, Vjosa Osmani me prononcimin e saj në “Tubimin e Bashkimit…” tentoi ta kthejë debatin publik nga paradigma “kush fiton pushtetin” në atë “kush e përfaqëson frymën autentike të Republikës” së Kosovës.
Teza e tretë, duhet theksuar pa dorëza se posedon elemente domethënëse të asaj që sociologjia e komunikimit politik e identifikon si dramatizim dhe stërmadhim alarmues të krizës. Kur ish Presidentja, potencon taksativisht se Kosova gjendet “para dy rrugëve”, ajo aludon, sipas gjykimit tim, për një situatë jo vetëm dramatike e të rrezikshme, por parasëgjithash edhe për instalimin e një ndjenje të situatës “hamletiane”: ose shtet serioz e aleanca euro-atlantike, ose krizë, izolim dhe kaos në Republikën e Kosovës!? Aludim ky diskursiv që përdoret zakonisht kur liderët kanë synim ta mobilizojnë emocionalisht elektoratin, ose të krijojnë ndjenjë alarmi hipotetik, ose ta artikulojnë veten e tyre si “gardianët e fundit” të shtetësisë së rrezikuar nga rivalët politikë.
Natyrisht, qasja e tillë e ashpër e ka edhe anën tjetër të medaljes, që është rritja konstante e polarizimit shoqëror, pastaj thellimi i paevitueshëm në “patriotë” dhe “anti-shtet”, si dhe shndërrimi i debatit publik në rrafshin e konfliktit moral e emocional. Gjuha e tillë e ashpër, në gjykimin tim, nuk ka fare asnjë garancion për rikthimin e “rugovizmit politik” në skenën aktuale, e aq më pak si një tentativë për ta paraqitur veten si simbol të republikës institucionale dhe pro-perëndimore.
Përkundrazi, gjykoj që mimika, gjestikulacioni dhe sidomos lëvizjet e trupit të Vjosa Osmanit në “Tubimin e Bashkimit” të LDK-skanë gjasa reale që atë ta katapultojnë në një konflikt të pakryer narrativ lidhur me monopolin e patriotizmit dhe shtetësisë së Kosovës…
Në fund të fundit, sfida më reale për ish-presidenten Vjosa Osmani nuk do të jetë ta bindë publikun se kush është fajtor për krizën aktuale politike, por ta dëshmojë se posedon, përveç një programi taksativ, edhe kapacitet moral, institucional e vizionar për ta nxjerrë Republikën nga logjika e stagnimit, ngërçeve dhe konfliktit permanent. Sepse historia politike e Kosovës ka dëshmuar se liderët që ndërtojnë narracion identitar vetëm mbi kundërshtarin, qoftë ai edhe ideologjik, herët a vonë mbesin pa identitet politik sapo kundërshtari dobësohet apo mënjanohet nga skena politike…
© 2026 Argumentum


























































