Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje Hercegovina.
Në një postim në rrjetin social “Twitter”, Ministri në Detyrë shkruan se mënyra se si organizatorët trajtuan Kosovën është i papranueshëm. Dhe se është në kundërshtim me synimin për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet.
Në vijim. Cakaj thekson se nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë, duke e përfunduar postmin e tij me fjalët: “Qëndrojmë së bashku!”.
Kujtojmë se ditën e djeshme, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte njoftuar zyrtarisht se ishte ftuar të merrte pjesë në samit me një shënim shpjegues pranë emrit të Kosovës, në dallim nga shtetet e tjera. Kosova refuzoi ftesën.
Postimi i plotë i ministrit në detyrë Gent Cakaj:
Shqipëria anulon pjesëmarrjen e saj në Samitin e SEECP në solidaritet me Kosovën. Trajtimi i tij nga organizatorët është i papranueshëm dhe shkon kundër qëllimit të krijimit të një atmosfere besimi, marrëdhëniesh të mira fqinjësore dhe stabilitetit. Nuk ka asnjë bashkëpunim pa trajtim të barabartë. Qëndrojmë së bashku!