Pavarësisht nga çfarëdo preteksti që mund të përdorë Japonia për ushtrimin e së ashtuquajturës “e drejtë e vetëmbrojtjes kolektive”, ndërhyrja e saj në çështjen e Tajvanit do të përbënte agresion ndaj Kinës dhe pala kineze do ta godiste patjetër fort ballë për ballë! Kështu theksoi të mërkurën një përfaqësues i Kinës në mbledhjen plenare të sesionit vjetor 2026 të Komitetit të Posaçëm për Kartën e OKB-së dhe për Forcimin e Rolit të OKB-së.
Në fjalimin e tij në këtë mbledhje, Fu Cong, ambasadori i Kinës në OKB, tha se vitet e fundit liderët japonezë kanë shkuar në anën e kundërt të rrymës së historisë. Ata e kanë lidhur haptazi Tajvanin e Kinës me të ashtuquajturën “situatë kërcënuese për mbijetesën e Japonisë”, duke imagjinuar përballimin e saj në bazë të marrëdhënieve të aleancës të Japonisë me ShBA-në dhe duke u orvatur ta ndërhyjnë me forcë në çështjen e Tajvanit nëpërmjet së ashtuquajturës “e drejtë e vetëmbrojtjes kolektive”.
Ambasadori Fu vuri në dukje se teoria absurde e Japonisë, që nuk ka bazë ligjore, bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të saj si një vend i mposhtur, shkel parimet bazë të Kartës së OKB-së dhe duhet të ngallë vigjilencën dhe kundërshtimin e të gjitha vendeve paqedashëse.
Lidhur me këtë, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi shprehu gjithashtu qëndrimin e vendosur të Kinës më 14 shkurt, duke iu përgjigjur pyetjeve në sesionin e posaçëm rreth Kinës në kuadrin e Konferencës së Sigurisë të Mynihut.
Wang theksoi se kryeministrja aktuale japoneze ka pretenduar haptazi se çdo emergjencë në ngushticën e Tajvanit do të përbënte një të ashtuquajtur “situatë kërcënuese për mbijetesën” e Japonisë për të ushtruar vetëmbrojtje kolektive. Kjo është hera e parë gjatë 80 vjetëve pas luftës që një kryeministër japonez ka bërë hapur një deklaratë kaq skandaloze, tha Wang. Ai theksoi se fjalë të tilla sfidojnë drejtpërdrejt sovranitetin kombëtar të Kinës, rendin ndërkombëtar të pasluftës me rikthimin e Tajvanit në Kinë, si edhe premtimet politike që Japonia bëri ndaj Kinës. Wang theksoi se Kina sigurisht që nuk do ta pranojë këtë, dhe as 1.4 miliardë kinezët!
Kreu i diplomacisë kineze vuri në dukje gjithashtu se fjalët e gabuara të liderit japonez për çështjen e Tajvanit demaskojnë ambicien e pashuar kolonialiste të Japonisë lidhur me Tajvanin dhe aspiratën e saj të fshehtë për rigjallërimin e militarizmit. Japonia shpërtheu dikur luftën e agresionit ndaj Kinës dhe sulmin ndaj Pearl Harborit nën pretekstin e së ashtuquajturës “situatë kërcënuese për mbijetesën”. Mësimet historike nuk janë shumë larg dhe duhet të shqyrtohen nga afër, tha Wang. Nëse Japonia refuzon të pendohet, ajo në mënyrë të pashmangshme do të përsërisë të njëjtat gabime dhe njerëzit zemërmirë duhet të jenë vigjilentë. Ai i kujtoi popullit japonez që të mos verbohet dhe të mos detyrohet përsëri nga forcat e ekstremit të djathtë dhe ideologjitë ekstreme. Wang u bëri thirrje të gjitha vendeve paqedashëse që t’i dërgojnë një paralajmërim Japonisë që, nëse orvatet të përsëritë rrugën e saj të mëparshme, ajo do të mposhtet më shpejt dhe do të pësojë një humbje më të rëndë!/cgtn





























































