Presidentja e sapozgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka cilësuar Shqipërinë si një ndër aleatët e denjë të aleancës së NATO-s.
Gjatë ceremonisë së organizuar në Berlin, për nder të saj, ish Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, tanimë presidente e KE, i shprehu nominalisht ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka vlerësimet për rolin e saj në marrëdheniet mes Shqipërisë dhe NATO, duke e cilësuar vendin tonë si një aleat të denjë.
“Gjithmonë kam admiruar rrugëtimin tënd pasi u bëre pjesë e tryezës së NATO. Jam e lumtur që sot Shqipëria është një anëtar i denjë i Aleancës”, iu drejtua zonja von der Leyen, ministres Xhaçka.
Në krah të kancelares gjermane Angela Merkel, zëvendëssekretares së Përgjithshme të NATO, Rose Gottemoeller, ministres së re të mbrojtjes së Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer dhe dhjetëra personaliteteve gjermane e europiane, ministrja Xhaçka mori pjesë në një prej ceremonive më të veçanta ushtarake, me traditë 200-vjeçare, që u rezervohet personaliteteve më të spikatura të politikës, ku ishin të ftuar bashkëpunëtorët më të afërt të ish – ministres Ursula von der Leyen.
Kancelarja Merkel përshëndeti përzemërsisht ministren Xhaçka, me të cilën, bashkë me 200 të ftuar të tjerën ndoqën ceremoninë zyrtare të largimit nga detyra të znj. Von der Leyen.
Znj. Ursula von der Leyen është e para grua që zgjidhet presidente e Komisionit Evropian dhe pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më datë 1 nëntor 2019.