Në një video-mesazh drejtuar Kinës në prag të vizitës së tij zyrtare, Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi marrëdhëniet mes Moskës dhe Pekinit, duke theksuar forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimin e ngushtë në fusha të ndryshme. Ai nënvizoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm dhe koordinimit mes dy vendeve në arenën ndërkombëtare.
Video-mesazh i Presidenti të Rusisë, Vladimir Putin (19 maj 2026)
Të dashur miq kinezë, ju përshëndes!
Është kënaqësi për mua të vizitoj sërish Pekinin me ftesë të mikut tim të mirë, Presidentit të Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping.
Vizitat e rregullta të ndërsjellta dhe bisedimet ruse-kineze në nivel të lartë janë një pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e përpjekjeve tona të përbashkëta për të zhvilluar të gjithë gamën e marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe për të realizuar potencialin e tyre me të vërtetë të pakufishëm.
Do t’ju kujtoja se 25 vjet më parë, Rusia dhe Kina nënshkruan Traktatin e Fqinjësisë së Mirë, Miqësisë dhe Bashkëpunimit, i cili vendosi një themel të fortë për formimin e një ndërveprimi strategjik të vërtetë dhe një partneriteti gjithëpërfshirës në dobi të vendeve dhe popujve tanë.
Dhe sot, marrëdhëniet ruse-kineze kanë arritur një nivel me të vërtetë të paprecedentë.
Natyra e tyre e veçantë pasqyrohet në një atmosferë mirëkuptimi dhe besimi të ndërsjellë, në gatishmërinë për të bashkëpunuar në kushte të barabarta dhe me përfitim të ndërsjellë, për të zhvilluar dialog të respektueshëm, dhe për të mbështetur njëra-tjetrën në çështjet që prekin interesat thelbësore të të dy vendeve, përfshirë mbrojtjen e sovranitetit dhe të unitetit shtetëror.
Rusia dhe Kina shikojnë me besim drejt së ardhmes dhe po zhvillojnë aktivisht kontaktet në politikë, ekonomi dhe fushën e mbrojtjes, duke zgjeruar shkëmbimet humanitare dhe duke promovuar komunikimin ndërnjerëzor. Me fjalë të tjera, së bashku po bëjmë gjithçka që shërben për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe zhvillimin gjithëpërfshirës të shteteve tona. Është e rëndësishme që pikërisht këto çështje do të përbëjnë axhendën e bisedimeve të ardhshme në Pekin.
Unë vlerësoj sinqerisht angazhimin e Presidentit Xi Jinping për bashkëpunim afatgjatë me Rusinë. Besoj se kontaktet tona të ngrohta dhe miqësore na ndihmojnë të hartojmë planet më ambicioze për të ardhmen dhe t’i realizojmë ato.
Kështu, vëllimi tregtar midis Rusisë dhe Kinës vazhdon të rritet, duke tejkaluar prej kohësh shifrën prej 200 miliardë dollarësh. Pagesat e ndërsjella kryhen thuajse tërësisht në rubla dhe juan. Po zbatohen iniciativa të mëdha në fushat kyçe të bashkëpunimit. Pas zhvillimit të shuksesshëm të Viteve të Kulturës ruse dhe kineze, në janar filluan Vitet e Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit, duke shënuar projektin e dhjetë të tillë ndërqeveritar në fushën e kulturës dhe shkencave humane.
Dua të theksoj se Rusia e vlerëson shumë historinë shumëshekullore të Kinës, arritjet e saj në kulturë, art dhe shkencë. Ne jemi të interesuar që popujt tanë të afrohen më shumë, të kuptojnë njëri-tjetrin edhe më mirë dhe të përqafojnë të gjitha të mirat që fshihen në traditat dhe trashëgiminë e pasur të të dy vendeve tona.
Prandaj, ne mirëpresim futjen e ndërsjellë të një regjimi pa viza midis vendeve tona. Kjo jo vetëm që promovon shkëmbimet e biznesit dhe turizmit, por gjithashtu hap mundësi të reja për komunikim dhe vendosje të kontakteve midis qytetarëve rusë dhe kinezë.
Aleanca e ngushtë strategjike ruso-kineze luan një rol të rëndësishëm dhe stabilizues në arenën botërore. Në të njëjtën kohë, miqësia jonë nuk drejtohet kundër askujt, por punojmë në të mirë të paqes dhe lulëzimit gjithëpërfshirës.
Është në këtë frymë që Moska dhe Pekini koordinojnë përpjekjet e tyre për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare dhe dispozitat e Kartës së OKB-së në tërësinë, gjithëpërfshirjen dhe mbështesin një ndërveprim aktiv përmes OKB-së, Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, BRICS dhe strukturave të tjera shumëpalëshe, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve urgjente mbarëbotërore dhe rajonale.
Jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e mundur për të thelluar partneritetin ruso-kinez dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë për hir të zhvillimit dinamik të dy vendeve tona dhe mirëqenies së popujve tanë, në interes të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit global.
/Argumentum.al



























































