Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, shprehet se rajoni i Ballkanit Perëndimor është “i pambrojtur” nga ndikimi rus ndaj ekziston rreziku për destabilitet.
“Rajoni është i pambrojtur sepse ndikimi rus është shumë i fortë, jo në Shqipëri, por në Bosnje, Mal të Zi dhe veçanërisht në Serbi”, tha Rama.
I pyetur nëse Shqipëria do të ndryshojë qëndrim për tendencën pro ruse të Serbisë, Rama tha se do ta kishte ndërprerë bashkëpunimin në rast se do të dilte kundër Perëndimit në OKB.
“Serbia nuk po shkon drejt Rusisë. Përkundrazi, në mënyrë të çuditshme, ajo mori anën e Perëndimit duke dënuar agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Është një shenjë shumë e mirë që Serbia votoi tre herë kundër Rusisë. Nëse Serbia do të kishte bërë të kundërtën, do të ishte një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë”, u shpreh Rama.
Megjithatë ndonëse kryeministri Rama mundohet ta paraqesë votën serbe si properëndimore dhe një kthesë të re të saj nga Perëndimi, vetë Vuçiç thotë të kundërtën. Ai nuk heziton të kritikojë sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, madje edhe votën kundër Rusisë në OKB, Vuçiç e quajti shantazh.
Serbia ka dashur të abstenojë nga votimi për pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, por për shkak të presionit u votua pro rezolutës.
Kështu u shpreh presidenti serb Aleksandër Vuçiç gjatë një interviste televizive pak kohë pas votës serbe në OKB.
“Vendimi ynë ka qenë që të jemi të përmbajtur, dhe pastaj vijnë presione të panumërta, të rënda që nuk kanë të bëjnë me anën personale. Askush nuk më ka shantazhuar, por po shantazhojnë vendin”, theksoi presidenti serb, duke shtuar se Serbia është një vend neutral ushtarakisht, por jo politikisht.
Si duket as vete pohimi i Vuçiç nuk ka rëndësi për kryeministrin Rama. Për këtë të fundit është me rëndësi ajo që ai beson tek miku i tij.
/Argumentum.al