Për të nëntëmbëdhjetën mbrëmje radhazi, në Tiranë vijoi protesta qytetare e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, e organizuar kundër politikave të qeverisë dhe ndryshimeve ligjore që, sipas protestuesve, cenojnë interesin publik, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore.
Qytetarët u mblodhën në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin. Ndonëse organizatorët kishin paralajmëruar se protesta do të drejtohej fillimisht drejt Kryeministrisë, protestuesit ndryshuan itinerarin dhe u drejtuan drejt Parlamentit, ku po zhvillohej seanca plenare dhe ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
“Dorëzoni mandatet”, “Ju erdhi fundi!”, “Parlamenti i krimit” dhe “Rama jepe dorëheqjen” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan përpara godinës së Kuvendit.
Pas përfundimit të seancës plenare, protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë. Gjatë kalimit pranë selisë së Partisë Demokratike, ata brohoritën edhe thirrjen “Opozitë e shitur”, çka solli një përplasje verbale me një grup mbështetësish demokratë.
Më pas, marshimi vijoi drejt Kryeministrisë, ku qytetarët, të pajisur me pankarta dhe flamuj, përsëritën kërkesat e tyre për shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe ndryshimin e legjislacionit që lidhet me zonat e mbrojtura. Në kuadër të protestës u zhvillua edhe “Parada e Flamingove”, ndërsa flamingoja është kthyer tashmë në simbolin e kësaj lëvizjeje qytetare.
“Shqiptarët nuk dorëzohen. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës me këta. Nuk ka kullë që zëvendëson një familje, nuk ka koncesion që zëvendëson një fëmijë që largohet. Nuk ka investim që vlen sa një vatër e ndezur në shtëpitë tona. Ata kanë pushtetin, por ne kemi Shqipërinë. Ndaj sot ngrini flamujt sa më lart, të betohemi para njëri-tjetrit se nuk do ta lëmë Shqipërinë të zbrazet dhe ta vjedhin këta”, deklaroi një prej aktivistëve gjatë tubimit.
Protestuesit kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Pas përfundimit të fjalimeve përpara Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugë të ndryshme të Tiranës, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim.
/Argumentum.al





























































