Samiti i Procesit të Brdo-Brijuni-t po zhvillohet sot në Golem të Kavajës.
Presidenti Bajram Begaj, mikpriti në kuadër të këtij samiti udhëheqësit e vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijuni-t, së bashku me presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe Presidentin e Kroacisë Zoran Milanoviç si vende bashkëkryesuese të procesit.
Presidenti Begaj u shpreh në mesazhin e tij në nisje të samitit se, sot Shqipëria mikpret samitin e procesit të Brdo Brijunit, së bashku me Slloveninë dhe Kroacinë. Si bashkëkryesues të Presidencës të procesit të Brdo Brijunit ne vlerësojmë forcimin e rolit të kësaj platforme si një mekanizëm i rëndësishëm rajonal”.
“Temat që do të diskutohen sot lidhen me bashkëpunime rajonale, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin europian, planin e rritjes së Bashkimit Europian, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos së rinisë në vendet tona”, tha Begaj.
Begaj nënvizoi se, Shqipëria mbështet dialogun rajonal me fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit europian, teksa vlerësoi progresin e arritur në këto drejtime.

“Për ne, bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në Bashkimin Europian dhe duhet të vazhdojmë të shkëmbejmë eksperiencat dhe njohuritë tona për pasur rezultate akoma më të prekshme nga ky proces i Brdo-Brijunit”, tha Begaj.
Në fokus të samitit janë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.
Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.
Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre.
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së.




























































