Protesta në Tiranë për projektin në Zvërnec, qytetarët vijojnë marshimin edhe në ditën e dytë
Shoqëria civile dhe qytetarë të ndryshëm u mblodhën sërish sot në Tiranë, në ditën e dytë të protestave të paralajmëruara, në lidhje me kundërshtimin e projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, në Vlorë.
Protesta nisi në sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrësit u grumbulluan me pankarta dhe thirrje kundër projektit. Më pas, protestuesit marshuan drejt institucioneve kryesore të shtetit, fillimisht drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas drejt Kryeministrisë.
Gjatë protestës, u dëgjuan thirrje si “Shqipëria nuk është në shitje”, “Anulo projektin”, “Hiqni gardhin” dhe “Zvërneci është tokë shqiptare dhe do të mbetet tokë shqiptare”, duke reflektuar kundërshtimin e tyre ndaj ndërhyrjes së planifikuar në zonën bregdetare.
Në një moment të marshimit, protestuesit rrethuan simbolikisht Ministrinë e Brendshme me shirit paralajmërues, duke shprehur indinjatën për incidentin e raportuar më herët në Zvërnec, ku një protestues dyshohet se është dhunuar nga persona të lidhur me një kompani private sigurie. Ky rast ka rritur tensionet dhe ka qenë një nga arsyet kryesore të mobilizimit të qytetarëve.

Pas ndalesës para Ministrisë së Brendshme, protesta vijoi drejt Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit qëndruan deri rreth orës 20:30. Organizatorët paralajmëruan se protestat nuk do të ndalen këtu, duke njoftuar një tjetër marshim për nesër në orën 18:00.
Protestuesit theksuan se qëllimi i tyre mbetet mbrojtja e zonës së Zvërnecit dhe kërkuan anulimin e projektit, duke paralajmëruar vijimësi të rezistencës qytetare nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë.
/Argumentum.al



























































