Më 28 shkurt, ShBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një sulm të përbashkët ushtarak ndaj Iranit, duke shkaktuar vdekjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Në reagim, Irani goditi disa baza ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe objektiva të lidhur me Izraelin, duke përshkallëzuar ndjeshëm situatën rajonale. Një sondazh i publikuar nga CGTN-i në internet tregon se 93.9 % e të anketuarve e dënojnë veprimin ushtarak të ShBA-së dhe Izraelit, duke e konsideruar atë shkelje të sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të Iranit. Ata bëjnë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei/VCG
Ky veprim ushtarak ndodhi në kohën kur ShBA-ja dhe Irani ishin ende të angazhuar në negociata diplomatike, gjë që tronditi thellë opinionin ndërkombëtar. Në sondazh, 86.8 % e të anketuarve e kritikuan ShBA-në për shtimin e presionit ushtarak gjatë procesit të negociatave, duke e cilësuar këtë si shfaqje të “hegjemonizmit amerikan”. Sipas tyre, veprime të tilla jo vetëm shpërfillin parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, por edhe dëmtojnë mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve nëpërmjet diplomacisë. Forca nuk ka qenë kurrë zgjidhja e duhur për konfliktet ndërkombëtare, por shton urrejtjen dhe përplasjet. 79.8 % e të anketuarve u shprehën dakord me këtë pikëpamje, duke theksuar se faktet e shumta tregojnë që presioni ushtarak amerikan ndaj vendeve të tjera nuk i zgjidh dallimet në thelb, por ngushton hapësirën për negociata dhe thellon kundërshtitë.
Foto nga VCG
Ky veprim ushtarak ka shkaktuar tashmë viktima të shumta. Organizata ndërkombëtare si OKB-ja, si edhe udhëheqës dhe qeveri të ndryshme, i kanë dënuar sulmet e ShBA-së e Izraelit dhe kanë bërë thirrje për rikthimin në dialog për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. 90 % e pjesëmarrësve në sondazh shprehën shqetësim se procesi tashmë i brishtë i paqes në Lindjen e Mesme mund të përkeqësohet me shpejtësi, duke theksuar që përshkallëzimi i situatës nuk u shërben interesave të asnjë pale. Gjithashtu, 94.7 % e të anketuarve vlerësojnë se qasja e “hegjemonizmit amerikan”, që shpërfill të drejtën ndërkombëtare dhe normat e marrëdhënieve ndërkombëtare, po intensifikohet dhe po dëmton seriozisht besimin global në mekanizmat shumëpalësh, duke minuar qëndrueshmërinë botërore.
Sondazhi u publikua në platformat në anglisht, spanjisht, frëngjisht, arabisht dhe rusisht të CGTN-it, duke tërhequr 23 464 pjesëmarrës nga mbarë bota brenda 24 orëve për të ndarë pikëpamjet e tyre./cgtn





























































