Rreth 2,1 milionë qytetarë të Kosovës janë thirrur për të votuar sot në zgjedhjet e treta të parakohshme parlamentare brenda 18 muajve.
Në orën 7 të mëngjesit, orë në të cilën është mbyllur edhe fushata zgjedhore sipas ligjit të zgjedhjeve në Kosovë, ka nisur edhe votimi në të gjitha qendrat në mbarë Kosovën.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve materialet zgjedhore janë shpërndarë në kohën e duhur në të gjitha vendvotimet. Gjithashtu është bërë me dije se janë 900 zyrtarë të KQZ që janë shpërndarë sot në të gjithë vendin për të transmetuar rezultatet paraprake dhe statistikat e votimit.
Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi ka shpjeguar më herët se sipas dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, pas mbylljes së procesit të votimit, në vendvotime bëhet numërimi i fletëve të votimit për subjektet politike që garojnë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, votat e kandidatëve për deputetë numërohen në Qendrat Komunale të Numërimit.
Duke nisur nga data 28 qershor e deri më sot, 21 subjekte politike dhe 3 koalicione, me gjithsej 902 kandidatë për deputetë, zhvilluan aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Gara e sotme elektorale përqendrohet te dy kampe kryesore: ai i Vetëvendosjes, të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku ndryshe nga dy zgjedhjet e shkuara ka në përbërje të saj edhe grupimin e ish-presidentes Vjosa Osmani.
Pas përfundimit të mandatit të saj në prill, Osmani u shkëput përfundimisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Përmes nismës “Guxo”, ajo garon tashmë në një listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Lumir Abdixhikut, forcë nga e cila ishte larguar 6 vite më parë.
Përçarja rrezikon ta lërë Lëvizjen Vetëvendosje pa shumicë qeverisëse, ndërsa Kurti synon mbi 60 për qind të votave për të zgjedhur i vetëm krerët e shtetit, pas dështimit të Kuvendit të kaluar në zgjedhjen e presidentit të ri. Ndarja mes dy ish-aleatëve është thelluar edhe në vizion: Osmani kërkon ruajtjen e aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe orientimin euroatlantik, ndërsa përballë ka qasjen sovraniste të Kurtit.
Analistët paralajmërojnë se pa një fitues të qartë, armiqësia e re politike mes palëve rrezikon thellimin e ngërçit, duke i lënë institucionet sërish në paqëndrueshmëri.
Diaspora e Kosovës, ku janë të regjistruar rreth 500 mijë votues, votoi të shtunën në 30 përfaqësi diplomatike, kryesisht në Europë ku është e përqendruar. Rezultatet e tyre nuk bëhen publike pa u mbyllur numërimi i votave të së dielës në territorin e Kosovës.




























































