Ndërsa protestat qytetare kanë hyrë në ditën e 23-të, gazetari dhe drejtuesi i Citizens.al, Lorin Kadiu, ka publikuar një analizë të gjatë mbi një libër pak të njohur për publikun shqiptar, por që sipas tij përmban hartën më të plotë të Shqipërisë që po projektohet nga qeveria e Edi Ramës.
Bëhet fjalë për “The Albanian Files”, një botim prej afro 800 faqesh, i prezantuar në kuadër të festivalit “Bread & Heart”, ku 60 studio ndërkombëtare arkitekture paraqesin mbi 500 projekte të zhvilluara ose të planifikuara në Shqipëri.
Në analizën e tij, Kadiu argumenton se libri nuk është thjesht një katalog arkitektonik. Përmes dëshmive të vetë arkitektëve, ai zbulon një model ku projektet e mëdha urbane, turistike dhe territoriale lidhen drejtpërdrejt me vizionin dhe ndikimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, shumë prej arkitektëve e përshkruajnë Ramën jo si një klient të zakonshëm politik, por si kuratorin e transformimit të Shqipërisë.
Nga kullat shumëkatëshe pranë Parkut të Liqenit në Tiranë, te marinat turistike në Vlorë, resortet në Nartë, Zvërnec, Divjakë, Gjipe dhe përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, libri paraqet qindra projekte që, sipas Kadiut, dëshmojnë një proces zhvillimi të përqendruar në pak duar dhe të shkëputur nga konsultimi publik.
Një nga gjetjet më domethënëse të analizës është se shumë prej projekteve prekin territore me rëndësi të veçantë mjedisore, përfshirë laguna, delta lumenjsh, zona të mbrojtura dhe hapësira pranë parqeve kombëtare. Për Kadiun, kjo tregon se vizioni i paraqitur në libër nuk njeh kufij të qartë mes zhvillimit ekonomik, interesit publik dhe mbrojtjes së trashëgimisë natyrore.
Sipas databazës së ndërtuar nga Citizens.al mbi materialet e librit, janë identifikuar 523 projekte, ku dhjetëra prej tyre janë ndërtuar ose janë në proces ndërtimi, ndërsa shumë të tjera presin leje ose mbeten pjesë e planeve afatgjata të zhvillimit territorial.
Në përfundim të analizës së tij, Kadiu argumenton se “The Albanian Files” paraqet një Shqipëri ku arkitektët, investitorët dhe pushteti politik funksionojnë si pjesë e të njëjtit mekanizëm, ndërsa qytetarët mbeten jashtë procesit të vendimmarrjes. Në një moment kur mijëra protestues vazhdojnë të kundërshtojnë projektet në Nartë dhe politika të tjera të qeverisë, analiza ngre një pyetje të drejtpërdrejtë, a është Shqipëria që përshkruhet në këtë libër vizioni i shqiptarëve, apo Shqipëria e vizatuar sipas vizionit të Edi Ramës?
__________________________
*Artikulli origjinal në Citizens.al: https://citizens.al/2026/06/22/ne-the-albanian-files-gjendet-shqiperia-qe-po-vizaton-edi-rama/
/Argumentum.al
























































