Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi se një armëpushim në konfliktin e Gazës mund të hyjë në fuqi menjëherë nëse grupi islamist Hamas pranon një vijë të caktuar tërheqjeje për ushtrinë izraelite në territorin bregdetar.
”Izraeli tashmë e ka miratuar vijën fillestare. Kur Hamasi ta konfirmojë armëpushimi do të hyjë menjëherë në fuqi. Do të fillojë shkëmbimi i pengjeve dhe i të burgosurve dhe ne do të krijojmë kushtet për fazën e tërheqjes nga territori palestinez”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Trump gjithashtu postoi një grafik që tregon vijën e propozuar në Gaza.
Plani i tij i paqes, i zbuluar gati një javë më parë, nuk specifikonte një rrugë konkrete tërheqjeje.
Në vend të kësaj, ai deklaroi se forcat izraelite do të tërhiqeshin në një vijë të rënë dakord për të lehtësuar lirimin e pengjeve, duke pezulluar të gjitha operacionet ushtarake derisa të përmbusheshin kushtet për një tërheqje të plotë dhe me faza.




























































