Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar një fazë të re përshkallëzimi ndaj Iranit, duke deklaruar se Uashingtoni do ta godasë vendin “shumë fort” dhe duke lënë të kuptohet se objektiv mund të bëhen edhe infrastruktura strategjike energjetike iraniane, përfshirë ishullin Kharg, qendrën kryesore të eksporteve të naftës së Iranit.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se SHBA-ja ka dëmtuar rëndë kapacitetet ushtarake iraniane dhe paralajmëroi sulme të tjera, duke deklaruar se në të ardhmen Uashingtoni synon të marrë kontrollin e Khargut dhe pikave të tjera të infrastrukturës së naftës dhe gazit të Iranit
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment kur konflikti mes SHBA-së dhe Iranit është rindezur me bombardime dhe shkëmbime sulmesh, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike dhe bisedimeve indirekte për një marrëveshje. Sipas raportimeve ndërkombëtare, sulmet e fundit amerikane dhe kundërpërgjigjet iraniane kanë minuar armëpushimin e brishtë dhe kanë vënë në pikëpyetje vazhdimin e negociatave mes dy vendeve.
Bombardimet amerikane janë rikthyer pas javësh tensionesh dhe negociatash të pasuksesshme, ndërsa administrata Trump duket se po kombinon presionin ushtarak me përpjekjet diplomatike për të detyruar Teheranin të pranojë kushtet e Uashingtonit.
Nga ana tjetër, Irani ka reaguar me sulme ndaj objektivave amerikane dhe aleatëve të SHBA-së në rajon, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme dhe për pasoja të rënda në tregjet globale të energjisë.
“Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje”, përfundoi Trump mesazhin e tij në Truth Social, në një deklaratë që po shihet si një nga kërcënimet më të forta të bëra deri më tani ndaj Iranit.
/Argumentum.al




























































