Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, u takua të hënën në Nju-Delhi me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Egjiptit Youssef Alaa El-Din.
Wang tha se ky vit shënon 70-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Egjiptit dhe pala kineze është e gatshme ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ruajtur shkëmbimet e ngushta të nivelit të lartë, për të rritur besimin e ndërsjellë politik, për ta çuar përpara bashkëpunimin praktik, për të forcuar koordinimin shumëpalësh dhe për të promovuar vazhdimisht partneritetin e gjithanshëm strategjik Kinë-Egjipt.
Wang vuri në dukje se situata ndërkombëtare po kalon ndryshime të thella dhe komplekse. Sipas tij, Kina dhe Egjipti janë anëtarë të rëndësishëm të Jugut Global, që kanë një gamë të gjerë interesash të përbashkët në çështjet ndërkombëtare e rajonale, duke mbajtur përgjegjësi të rëndësishme për ruajtjen e qëndrueshmërisë.
El-Din tha se Kina është një mike dhe partnere e vërtetë e Egjiptit dhe se themeli i partneritetit të gjithanshëm strategjik midis dy vendeve është i fortë dhe ka arritur rezultate të frytshme. Ai e falënderoi palën kineze për mbështetjen dhe ndihmën e saj afatgjatë, riafirmoi angazhimin e vendosur të Egjiptit ndaj parimit të një Kine dhe kundërshtoi ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës nga vendet e tjera.
Ai tha se Egjipti është i gatshëm ta përdorë 70-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike si një mundësi për të forcuar shkëmbimet e nivelit të lartë, për të thelluar bashkëpunimin praktik në kuadër të kornizave të tilla si nisma “Një brez, një rrugë”, BRICS-i dhe Forumi për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë, si edhe për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Të dyja palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi situatën në Lindjen e Mesme. El-Din informoi mbi zhvillimet e fundit dhe përpjekjet e ndërmjetësimit nga Egjipti dhe palët e tjera, duke vlerësuar lart rolin e rëndësishëm të Kinës në promovimin e paqes dhe të dialogut./CGTN




























































