Pas nëntë muajsh pritjeje, anëtarët e Parlamentit të Malit të Zi kanë miratuar vendimin për të dërguar pjesëtarë të ushtrisë në Misionin e Bashkimit Evropian për Ndihmë Ushtarake për Ukrainën.
Dyzet e nëntë nga 81 deputetët votuan në favor të vendimit.
Sipas vendimit të miratuar, pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi do të marrin pjesë në misionin e BE-së për ndihmë ushtarake për Ukrainën.
“Me qëllim të forcimit të kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Ukrainës për të mbrojtur integritetin territorial të vendit, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, dhe si përgjigje ndaj ofensivave aktuale ushtarake të Federatës Ruse, por edhe të agresorëve të tjerë të mundshëm”, thuhet në sqarimin se pse u mor ky vendim.
Ministri i Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, duke shpjeguar vendimin, përsëriti se “as që bëhet fjalë” që ushtarët e shtetit të tij, që do të dislokohen për këtë mision, të dërgohen në territorin e Ukrainës.
“Dua ta bëj këtë gjë të qartë. Unë kurrë nuk do të mbështesja diçka të tillë. Të gjitha aktivitetet e këtij misioni kryhen në territorin e BE-së, në Poloni dhe Gjermani”, tha ministri.
Misioni i BE-së është një nga dy misionet për Ukrainën që janë organizuar pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, dhe ku Mali i Zi pritet të marrë pjesë.