Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe udhëheqësit e tjerë botërorë kanë mbërritur në Kanada për samitin e G7, sipas AP.
Liderët e disa prej fuqive më të mëdha ekonomike në botë mbërritën dje në Malet Shkëmbore Kanadeze për një samit të Grupit të Shtatë – i lënë në hije nga një konflikt në rritje midis Izraelit dhe Iranit dhe lufta tregtare e pazgjidhur e presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Sulmet e Izraelit ndaj Iranit dhe hakmarrja e Teheranit, janë shenja e fundit e një bote më të paqëndrueshme.
“Trump, ditët e fundit vuri veton ndaj planit izraelit për të vrarë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei”, tha një zyrtar amerikan.
Si organizator i samitit, kryeministri kanadez Mark Carney ka vendosur të braktisë praktikën vjetore të lëshimit të një deklarate të përbashkët, ose komunikate, në fund të takimit.
Udhëheqësit pritet të bisedojnë me Trump në një përpjekje për ta bindur atë të mos vendosë tarifa. Samiti rrezikon të jetë një seri bisedash dypalëshe në vend të një shfaqjeje uniteti.
Trump është karta e paparashikueshme e samitit. Ai mbërriti në samitin ndërkombëtar me një kapelë “Bëjeni Amerikën të Madhe Sërish”.
Në prag të takimit janë kërcënimet e tij nxitëse për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të dhe për të marrë Groenlandën.
Presidenti francez, Emmanuel Macron vizitoi dje Groenlandën – përpara se të mbërrinte në Kanada.
Macron paralajmëroi me herët se Groenlanda “nuk duhet të shitet” dhe as “të merret”.
“Të gjithë në Francë, Bashkimi Evropian mendojnë se Groenlanda nuk duhet të shitet, as të merret”, tha ai gjatë një konference për shtyp, i duartrokitur nga turma lokale.
“Situata në Groenlandë është qartësisht një thirrje zgjimi për të gjithë evropianët. Më lejoni t’ju them shumë drejtpërdrejt se nuk jeni vetëm”, shtoi Macron.