Pas njoftimit se do të niste sulme ndaj vendbanimeve civile në Iran, Izraeli goditi ndërtesën e televizionit shtetëror iranian.
Institucioni i Radio-Televizionit të Iranit (IRIB) në një deklaratë njoftoi se ndërtesat e saj në kryeqytetin Teheran janë shënjestruar nga Izraeli.
Pamjet e shpërndara në mediat sociale tregojnë se sulmi ndodhi gjatë një programi të transmetuar në televizionin shtetëror.
Sulmi i cili është kryer derisa një prezantuese lajmesh ishte në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv duke reaguar ndaj sulmeve të Izraelit, shkaktoi dëme serioze në studio.
Irani e ka dënuar sulmin e Izraelit ndaj një ndërtese të televizionit shtetëror në Teheran si një “krim lufte” dhe i ka bërë thirrje OKB-së të ndërmarrë veprime.
Trupa e Gardës Revolucionare Islamike e dënoi sulmin, duke e quajtur atë “çnjerëzor, kriminal dhe një akt terrorist”.
Pas dekadash armiqësie dhe një lufte të zgjatur në hije, të premten Izraeli nisi një sulm të papritur, duke thënë se po synonte objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit. Deri më tani, ai ka vrarë të paktën 224 persona në Iran, përfshirë komandantë të lartë ushtarakë, shkencëtarë bërthamorë dhe civilë.
Irani është hakmarrë me breshëri dronësh dhe raketash që kanë vrarë të paktën 24 persona në Izrael, sipas shifrave të fundit nga zyra e kryeministrit.
Irani nuk e njeh Izraelin dhe e ka akuzuar prej kohësh atë për kryerjen e operacioneve sabotuese kundër objekteve të tij bërthamore dhe vrasjen e shkencëtarëve të tij.