Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Guo Jiakun shprehu të martën kundërshtimin e fortë të Kinës ndaj manipulimit të përsëritur nga G7-a të çështjeve që lidhen me Kinën.
Duke iu përgjigjur në një konferencë të rregullt për shtypin një pyetjeje mbi çështjet që lidhen me Kinën të diskutuara në Samitin e G7-s, Guo theksoi që Samiti i G7-s manipuloi edhe një herë lidhur me këtë temë, duke bërë komente të pabaza për çështjet që kanë të bëjnë me Tajvanin, Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore dhe duke shpifur në mënyrë keqdashëse ndaj Kinës për të ashtuquajturit “shtrembërim të tregut dhe mbikapacitet të dëmshëm”.
Këto pretendime, tha Guo, përbëjnë një ndërhyrje serioze në punët e brendshme të Kinës dhe shkelje të normave themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe Kina ka paraqitur demarshe të ashpra ndaj palëve përkatëse.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze theksoi se kërcënimet më të mëdha ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në Ngushticën e Tajvanit vijnë nga përpjekjet separatiste për të promovuar “pavarësinë e Tajvanit”, si edhe nga ndërhyrjet e huaja. “Nëse G7-a interesohet vërtet për paqen në Ngushticën e Tajvanit”, deklaroi ai, “duhet të mbështesë parimin e ‘një Kine’, të kundërshtojë qartë ‘pavarësinë e Tajvanit’ dhe të mbështesë ribashkimin paqësor të Kinës”.
Lidhur me Detin e Kinës Lindore dhe Detin e Kinës Jugore, Guo vuri në dukje që situata e përgjithshme mbetet e qëndrueshme falë përpjekjeve të përbashkëta të vendeve të rajonit. Ai i kërkoi G7-s të respektojë konsensusin rajonal, të përmbahet nga përdorimi i çështjeve detare për të krijuar përçarje midis vendeve dhe të ndalojë nxitjen e tensioneve.
Për çështjet ekonomike, Guo hodhi poshtë thëniet për të ashtuquajturit “mbikapacitet” dhe “shtrembërim të tregut” nga ana e Kinës, duke i quajtur ato pohime të rreme të nxitura nga qëllimet proteksioniste. Ai vuri në dukje se qëllimi i vërtetë që qëndron pas një retorike të tillë është shtypja e zhvillimit të ligjshëm të Kinës dhe politizimi e instrumentalizimi i çështjeve tregtare.
Guo i bëri thirrje G7-së të njohë prirjen mbizotëruese të zhvillimit global, të braktisë mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimet ideologjike, të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës, të reshtë provokimin e kundërvënies dhe të bëjë më shumë gjëra që janë vërtet të dobishme për bashkësinë ndërkombëtare./cgtn