REAL POLITIK NR. 122
1 – 16 MARS 2026
Komente “ flash” mbi 3 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i Madh në Diplomaci
DR. JORGJI KOTE
1.Po pastaj? Kaluan 2 javë që SHBA dhe Izraeli vazhdojnë sulmet ushtarake ndaj Iranit me disa arritje mbresëlënëse në asgjënsimin e liderëve dhe figurave kryesore të vendit, në shkatërrimin e flotës detare, ajrore, etj. Megjithatë, problemi është se SHBA-të kanë hyrë në këtë luftë pa një plan dhe objektiva të qarta dhe pa strategji “dalje“. Ndaj Presidenti Trump bën deklarata kontradiktore lidhur me synimet ushtarake e sidomos ato politike me pohime dhe me mohime. Veç kësaj, nuk ka një përgjigje të qartë ndaj pyetjes madhore gjeopolitike në të tilla raste “Po pastaj, çdo të ndodhë“? Madje edhe në aspektin ushtarak nuk mund të pretendohet për fitore, pa ndërhyrjen tokësore, mision i pamundur ose me shumë kosto njerëzore. Pa përmendur sfidën në Hormuz. Nuk flitet as për ndryshim rregjimi dhe kush do të zëvendësojë mullahët. Apo një kukull apo marionetë e SHBA-ve, e cila mund të zgjidhë përkohësisht problemin, por mund të rezultojë “minë me sahat“ më vonë. Po me opozitën demokratike çdo të bëhet? Shqetësimi është që nëse SHBA-të janë të kënaqura me aq sa është arritur deri tani, e keqja do të dalë në skenë më vonë në forma edhe më të ashpra.
2. Jo emëro sot dhe shkarko nesër!
Më 5 Mars 2026, Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali u shkarkua krejt pa pritur, pa mbushur ende as 6 muaj në atë post dhe pa asnjë shpjegim zyrtar.
Duke ringjallur kësisoj praktikën negative të ndryshimeve të shpeshta të kryediplomatëve tanë, që duhet të ishin garantë të kontinuitetit diplomatik.
Përvoja dhe praktika ndërkombëtare dëshmon se Ministrat e Jashtëm qëndrojnë relativisht për një kohë më të gjatë në detyrë se kolegët e tyre të fushave të tjera.
Eshtë gati e pamundur të gjesh raste të tjera në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku ata të mos qëndrojnë të paktën 4 vjet, pa përmendur të tjerë që kanë qëndruar më gjatë, madje edhe mbi 10 vjet! Kështu, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov vazhdon prej 22 vitesh, ndërsa ish-ministri i Jashtëm legjendar gjerman, Hans Dietrich Genscher qëndroi 17 vjet në krye të diplomacisë derisa dha vetë papritur dorëheqjen në vitin 1993.
E kundërta ka ngjarë te ne, ku në 35 vitet e fundit kemi patur 18 ministra të jashtëm, ose 1 në më pak se në 2 vjet! Vetëm 3 ministra e kanë përfunduar mandatin 4 vjeçar – Alfred Serreqi, Paskal Milo dhe Ditmir Bushati.
Madje këto ndryshime të shpeshta janë bërë edhe brenda të njëjtit koalicion qeveritar dhe të një partie të vetme, si PS-ja në 9 vitet e fundit. Kështu, nëse gjatë periudhës 1997-2013 janë ndërruar 12 ministra të Jashtëm, gjatë viteve 2013 – 2025 u ndryshuan 6 Kryediplomatë! Ndërsa vetëm në 5 – 6 muajt e fundit, shtator 2025 – Mars 2026 u ndërruan 3 ministra të jashtëm po nga PS-ja!

Për pasojë, si edhe shumë kolegëve të tjerë, midis viteve 2005 – 2013 kur isha diplomat në Ministri në Tiranë dhe në Bruksel, më takoi t’u shërbeja plot 7 ministrave të Jashtëm! Madje, në një rast, brenda më pak se një viti, i kërkuam ministrit të Jashtëm belg të priste në Bruksel tre ministra tanë të Jashtëm!
E keqja është se këto lëvizje shoqërohen me ndryshime të tjera drejtorësh dhe deri në nivel referentësh në Ministri. Ndërsa Protokolli në qendër dhe përfaqësitë diplomatike ngarkohen me letra, mesazhe, kërkesa për takime dhe vizita prezantuese në metropolet ndërkombëtare, etj.
Gjithashtu në diplomaci ka shumë rëndësi që partnerët tanë, sidomos ata të NATO-s dhe BE-së të takohen me fytyra të njëjta sa më të gjatë, pasi kjo ua shton besueshmërinë dhe efektivitetin e punës.
Gjithsesi, lajmi i mirë është se Spiropalin e zëvendësoi Ambasadori Ferit Hoxha.
Siç e kam përmendur në shkrime të mëparshme dhe në librin “Negociatat – sfida e fundit e integrimit’ ( Prill 2024) Ferit Hoxha është Ambasadori ynë më i plotësuar i karrierës. I vetmi që i ka kaluar të gjitha shkallët e hierarkisë diplomatike – specialist në Ministri, diplomat në Nju Jork, drejtor, drejtor i Përgjithshëm Politik, Sekretar i Përgjithshëm dhe 6 herë Ambasador në Bruksel, në Nju Jork dhe në Paris. Madje, në momente të veçanta historike për politikën dhe diplomacinë tonë. Në nëntor 1998 filloi në Bruksel si shefi i Misionit tonë pranë BE-së, duke çelur negociatat e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndërsa në dy vitet e fundit i rikthyer në Bruksel u çelën brenda 16 muajve vitit 2025 të gjashtë grupkapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.
Në vitin 2023 – 2024 Ministri i ri i Jashtëm ishte kreu i Përfaqësisë sonë të zgjeruar në Nju Jork kur Shqipëria ishte anëtare e përkohshme e KS të OKB-së dhe e kryesoi atë dy herë.
Gjatë kohës kur ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministri, Shqipëria u pranua në NATO; gjithashtu u dorëzua kërkesa jonë zyrtare për anëtarësimin në BE ( Prill 2009) filloi dhe u realizua në dhjetor 2010 liberalizimi i vizave me BE-në dhe mbështetja për Kosovën me rastin e shqyrtimit të ligjshmërisë së pavarësisë së saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Këto dhe të tjera ngjarje i kam përjetuar edhe vetë në vitet 1998 – 2001, si bashkëpunëtori më i afërt i Ambasadorit Ferit Hoxha në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel, krahas punës në MPJ dhe në disa shërbime jashtë vendit në periudhat e mëvonshme.

3. Brukselin apo Ballukun?! Më 12 Mars Kuvendi vendosi me shumicën e votave socialiste të mos autorizojë arrestimin sipas kërkesës së SPAKU-t të deputetes Belinda Balluku, ish Zv.Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës. Siç pritej, pati reagime të shumta kundërshtuese nga brenda dhe sidomos nga BE-ja. Edhe pse jo me forcën e duhur, e cila do të duhej të ishte shprehur përpara votimit dhe “ pas pilafit”. Vetëm dy ditë pas votimit të mësipërm, BE-ja në nivelin teknik vendosi ta shtyjë miratimin e IBAR, ose Raporti i Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve për Shqipërinë. Ky vendim do të “ vuloset” më 17 Mars nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel. Për pasojë, për një farë kohe, ne nuk mbyllim dot Grup Kapitullin “Themeloret” të çelur në tetor 2024, i cili përfshin drejtësinë dhe gjyqësorin dhe as Grupkapitujt e tjerë. Mirëpo kjo rrezikon seriozisht përfundimin e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE 2030. Sepse mesazhi pi qartë politik i BE-së është “ Ose Brukselin ose Ballukun, të dyja nuk shkojnë!”. Le të shpresojmë se shumica qeverisëse do të zgjedhi përfundimisht Brukselin, Berlinin dhe BE-në!
© 2026 Argumentum



























































