Jelena Lovriç- ideje.hr[i]
A kërcënon Vuçiçi Kroacinë apo Serbinë? Ne avionë, ata avionë, ne dronë, ata dronë, ata raketa ne…? A duhet të na frikësojë kjo garë mendjelehtë ballkanike për armatime, sa papjekuri tregon dhe sa mund të konkludojmë që tani për të.
Raketat e frikshme supersonike kineze nën krahët e avionëve luftarakë të Serbisë, ishte pamja e cila para dhjetë ditësh na zbuloi se shteti fqinjë disponon armë të afta të arrijnë çdo pjesë të Kroacisë, ndërsa Kroacia kurrsesi nuk mund t’i ndalojë as t’u përgjigjet në mënyrë efikase, ishte kjo pamje e cila forcoi në mënyrë dramatike tingullin kurrë të shuar të vringëllimit të armëve në Ballkan. Me bërjen publike të fotografive të raketave frikësuese CM-400, pushteti në Beograd jep një mesazh. Sugjeron se as betejat e armatosura nuk përjashtohen, njëlloj sikur një herë e një kohë Sllobodan Millosheviçi bëri publik skenarin e tij luftarak. Është shokues fakti që shteti nga i cili filloi fushata luftarake e viteve nëntëdhjetë në territorin e Jugosllavisë blen dhe bën parada me armë të tilla ofensive. Shokuese për të gjithë ata të cilët kanë përcjellë me lule tanket nga Beogradi.
Sidomos edhe për faktin se retorika luftënxitëse ecën dorë për dorë me armët vrastare. Retorikë e cila sikur është kopjuar fjalë për fjalë nga vitet nëntëdhjetë. Jo vetëm vojvoda i deklaruar çetnik dhe krimineli i luftës Vojisllav Shesheli kërcënon Kroacinë nëpër televizonet e atjeshme, duke u mburrur se shefat e shtetit kroat do të dhisnin nga frika vetëm po t’a dinë se çfarë mjetesh luftarake disponon Serbia. Rrëfime të tilla përdorin edhe drejtuesit e pushtetit. Sunduesi i sotëm serb Aleksandër Vuçiç me oborrin e tij e trajon Kroacinë si shtet armik. Ose e quan ustash ose e akuzon për sponsorizim të protestave masive të cilat prej më shumë se një viti po mbahen në mbarë Serbinë. Fjalimet e tij nga vitet e luftës vetëm sa i ka transformuar paksa. Dikur luftënxitësi nga Glina (Glina- territor në Kroacinë e atëhershme dhe të sotme. Në këtë vend me 20.03.1995, Aleksandër Vuçiçi, në një miting me serbët e atjeshëm tha: “Ju e dini se do të jetoni në Serbinë e Madhe, shtetin unik serb, lëshime këtu nuk ka”. Shën. i përkth.) i bëri thirrje serbëve të Kroacisë për kryengritje kundër Kroacisë, tani Kroacinë e shpall kërcënim për tërë Serbinë.
Fiksimi pas armëve
Megjithatë, Kroacia, prej një kohe pak a shumë të gjatë nuk merret me Serbinë. Thjesht nuk është në fokusin e saj, as politik dhe as publik. Madje edhe djathtistët e egër sillen më pak ashpër ndaj Beogradit, dhe godasin më me zemërim atë grusht serbësh që mund të gjenden akoma në Kroaci. Por as Kroacia ende nuk ka dalë mendërisht nga koha e luftës. Kjo është e dukshme te mitologjizimi i Luftës Patriotike. Nga paaftësia për të folur në mënyrë analitike për të kaluarën. Për nga ajo se krimineli i gjykuar i luftës Tomsillav Merçedp quhet akoma publikisht hero nëpër media, ndërsa njëkohësisht, nëpërmjet sulmeve që i bëhen filmit mbi të vrarin Josip Reihl-Kira, përpiqet të diskretitohet çdo obsion paqesor. Kroacia njëlloj si Serbia vuan nga fiksimi për armët. Pas blerjes së Rafalëve francezë, kroyministri Plenkoviç dëshiron të mburret se askush, nga Gjermania deri në Greqi, nuk ka eskadrilje më të mirë avionësh luftarakë. Pas bërjes publike të njollave kineze nën krahët e avionëve luftarakë serbë ish ministri i mbrojtjes Kotromaniç bëri trimin dhe tha se Kroacia, me raketat HIMARS do të jetë në gjendje “të trajtojë Beogradin”. Nga qarqe të afërta me Ministrinë e mbrojtjes pohohet se, sfidës nga Serbia, Kroacia mund t’i përgjigjet me të njëjtën masë, e rreshtojnë publikisht listën e armatimeve të cilat duhen blerë urgjentisht. Gara e armatimeve mes dy shteteve po intensifikohet dukshëm, për lumturinë e tregtarëve të armëve.
Çfarë tregon drama me raketat supersonike në avionët serbë? Tregon se, sëpari, edhe pas tridhjetë vitesh që nga përfundimi i luftës, Kroacia dhe Serbia, ende nuk kanë arritur të normalizojnë raportet e tyre zyrtare. Në relacionet bilaterale më shumë i drejtohen armëve sesa diplomacisë. Sikur janë akoma më të gatshëm të shohin njëri tjetrin nëpërmjet thepit të pushkës dhe jo në tryezën e gjelbër të bisedimeve. Rrethanat ndërkombëtare i shkojnë shumë për shtat kësaj logjikë luftarake të vetëdijes së reduktuar. Nëse të mëdhenjtë me kaq lehtësi nisin luftëra të tmerrshme, atëherë edhe sherifët lokalë nuk kanë për të mbetur prapa. Sidomos në rajonin e cili ende nuk është ftohur nga tensionet luftarake dhe armiqësitë. Por gjithsesi, përshkallëzimi luftarak mes Serbisë dhe Kroacisë nuk ka shanse për një sërë arësyesh. Gjë që nuk do të thotë se disa shtete territorialisht të afërta me Beogradin të mos kenë arësye për ankth dhe frikë.
E dyta, ky produksioni me raketat kineze tregoi se Serbia, e cila nga lufta e viteve nëntëdhjetë doli e mundur, nuk duhet nënvlerësuar ushtarakisht. Tani posedon armë me të cilën mund të sulmojë çdo pjesë të Kroacisë. Me të cilat mund të godasë Rafalët në aerodromin Pleso ose terminalin e LNG në Krka. Nga të cilat Kroacia nuk mund të mbrohet, e aq më pak të kundërpërgjigjet. Vërtetë nuk është bash duarbosh sikurse ishte në vitet nëntëdhjetë, por momentalisht nuk ka asgjë të ngjashme për nga fuqia as për nga largësihedhja. Me raketat me largësihedhje 400 kilometrea, gjë e cila është armë ofensive serioze, Serbia ka çrregulluar ekulibrin strategjik, dhe këtë jo vetëm në rajon. Me një aresnal të tillë bëhet problem edhe për NATO-s, por edhe për gjithë fqinjët e Serbisë, jo vetëm ata të territorit të ish Jugosllavisë. Gjë e cila në njëfarë mënyre është mirë për Kroacinë. Sepse me sfidat nga Beogradi nuk do të përballet e vetme. Në raport me vitet nëntëdhjetë pozita e Kroacisë ka ndryshuar.Si antare e NATO-s dhe e Bashkimit Europian tani ajo i përket konstelacionit europian. Fakt të cilin pushteti në Serbi duhet t’a respektojë. Pa marrë parasysh frustracionet personale të Vuçiçit.
Pushteti përballet me revolta popullore
Por, në ndryshim nga vitet nëntëdhjetë, akuzat e sotme antikroate të saj dhe retorika luftarake janë të destinuara para të gjithave për publikun vendas, pra kryesisht të orientuara për nga nevojat e politikës së brendshme. Situata në Serbi është shumë e rënduar. Pushteti përballet me revoltën popullore të përmasave të mëdha. Këtë vit me siguri do të ketë zgjedhje të parakohëshme. E për këtë Vuçiçi godet kundër Kroacisë në mënyrë që të zhvlerësojë konkurencën. Dëshiron dhe përpiqet të paraqitet si i vetmi politikan që është i aftë të mbrojë shtetin nga kërcënimet e jashtme. Për këtë kryesisht i shërbejnë edhe ato raktet kineze të varuara në avionët MIG-ë. Kësaj i shërben histerizimi rreth marrëveshjes mbi bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që ai e quan aleancë “e drejtuar pikërisht kundër Serbisë”. Nuk ekziston, pohon ai, asnjë arësye tjetër për formimin e saj. Shtetet që e kanë formuar, thotë ai, mezi presin momentin e përshtatshëm të sulmojnë Serbinë, ndërsa është ai që po e përgatit vendin e tij për mbrojtje. Shpik rreziqe dhe blen me të madhe armë vetëm që të mund të paraqitet si mbrojtës i Serbisë nga invazioni i drejtpërdrejtë. Përpiqet të shtyjë tërë popullin në paranojën e luftës vetëm që të arrijë të ruajë në njëfarë mënyre pushtetin e tij të shkërmoqur. Në fushatën e tij parazgjedhore vringëllin raketat dhe rrëfen për armiq. Janë në lojë role të mëdha. Me humbjen e zgjedhjeve ndoshta edhe fati i tij politik bëhet i panjohur.
E treta, shfaqja e raketave kineze në avionin luftarak të Serbisë ka zbuluar mangësi dhe deficite të mëdha edhe në palën kroate. Zbuloi para së gjithash dobësinë e raporteve në kreun shtetëror kroat. Bëri të dukshme se atje mbretëron kakofonija. Presidenti i Republikës dhe Kryeministri nuk komunikojnë. Nëpërmjet çështjeve ushtarake, Ministri i mbrojtjes pompon rëndësinë e tij politike. Sulmon kreun e shtetit, deri duke bërë insinuata për tradhëti ndaj Kroacisë, me shefin e qeverisë është në konkrencë të heshtur për ndikim në HDZ. Nuk dihet se çfarë duhet ditur në lidhje me armën e Vuçiçit. Aq më pak se çfarë duhet të ndërmarrë Kroacia. Ngjarja në fjalë zbulon gjithashtu edhe gabime serioze në strategjinë ushtarake të shtetit, e pastaj edhe në blerjen e armëve. Ekspertët ushtyarakë pohojnë se për mbrojtjen antiraketore në Kroaci në përgjithësi nuk është menduar fare. Nuk ekziston masa e duhur e sinkronizimit mes vlerësimeve të sigurisë dhe blerjes së mjeteve ushtarake. Si shembull i vlerësimit të keq duhet përmendur blerja e tankeve. Është shpenzuar para e madhe për ata, të cilët në kushtet e reja të luftimeve janë bërë të parëndësishëm, sese ata janë shënjestër e lehtë për dronët. Po blejmë armë “sikur po blejmë pula”, deklaroi në mënyrë të pamëshirshme presidenti Millanoviç. Duket se disa blerje janë udhëhequr mbi të gjitha nga arësye politike. Nga disa vende janë blerë, sëbashku me armët, gjithfarë aleancash në planin politik, për të sendërtuar disa projekte dhe interesa joushtarake. Si puna e lobimit për pranimin e Kroacisë në disa nga organizatat ushtarake. Këtu Kroacia nuk ndryshin shumë nga Serbia. Vuçiçi, blen nga të gjitha anët, sëbashku me mjetet vrastare, edhe raporte të privilegjuara me vendet eksportuese të armëve, por krahas kësaj, sikurse thuhet, përkujdeset shumë edhe për pasurimin personal. Ndërsa në disa nga vendimet e kryeministrit Plenkoviç mbi blerjen e armëve thuhet se janë mbivendosur edhe interesat e tij personale të karrierës.
[i] https://ideje.hr/zveckanje-oruzjem-na-balkanu-tri-kineska-raketna-poucka/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA




























































