Fundi i Ideologjisë: Pse Buka dhe Energjia po fitojnë mbi Gjeopolitikën në kutitë e votimit?
Dr. Ermir I. Hajdini
Këshilltar Ligjor & Lektor Universitar
Zgjedhjet e fundit në Bullgari nuk duhen lexuar thjesht si një rotacion i radhës në një vend të Evropës Lindore. Ato janë një mesazh i qartë dhe i prerë që vjen nga periferia e Bashkimit Evropian, por që godet në zemër të paradigmës aktuale të Brukselit. Fitorja e Rumen Radevit dhe forcave që kërkojnë zhvillim të qendrueshëm, stabilitet ekonomik larg korrupsionit dhe oligarkisë është, mbi të gjitha, një korrigjim strategjik i domosdoshëm i një politike që prej kohësh ka humbur kontaktin me realitetin e qytetarit të thjeshtë. Kjo analizë merr vlerë të veçantë kur shihet nën prizmin e shifrave të ulëta të miratimit të Kancelarive kryesore Perëndimore.
1. Realpolitika (Low Politics) vs. Romantizmit Gjeopolitik (High Politics)
Për vite me radhë, elektorati evropian është ushqyer me narrativën e “High Politics”: mbrojtja e vlerave që shpesh rezultojnë boshe dhe mbështetja e pakushtëzuar e konflikteve të jashtme. Por rezultatet në Sofje tregojnë se votuesi po zgjedh “Low Politics” – stabilitetin, çmimin e energjisë dhe mirëqenien.
Ndërsa Kancelaritë Perëndimore po shohin shifra miratimi në nivele kritike (Macron në 16%, Merz në vështirësi për të mbajtur kohezionin, dhe Starmer në rënie të shpejtë), fitorja e Radevit dëshmon se populli kërkon liderë që prioritizojnë kontratën sociale[1] brenda kufijve të tyre. Pyetja që shtrohet është: A po kthehet më në fund Bashkimi Evropian tek Realpolitika[2] pas një periudhe të gjatë operimi mbi parime thjesht morale??!
2. Fatura e Shtrenjtë e “Vlerave”
Riorientimi i burimeve të energjisë, duke braktisur hidrokarburet e lira për alternativa shumëfish më të shtrenjta, dhe lufta tregtare me Kinën për çipat kompjuterikë, po paguhen shtrenjtë nga industria vendase:
- Hidrokarburet: Kalimi në gazin e lëngshëm (LNG) amerikan është rreth 3-4 herë më i shtrenjtë se gazi i tubacioneve ruse. Kjo ka çuar në “de-industrializimin” e Evropës, ku fabrikat kimike dhe të çelikut në Evropën Qendrore po mbyllen ose po zhvendosen drejt SHBA-së dhe Azisë.
- Gjysëmpërcuesit dhe Kina: Lufta tregtare për mjetet elektrike dhe mikroprocesorët po rrit kostot e prodhimit vendas, duke e bërë produktin evropian më pak konkurrues.
Rasti i Volkswagen dhe “Invadimi” i makinave kineze
Bashkimi Evropian ka vendosur tarifa doganore deri në 38% ndaj makinave elektrike kineze (si BYD apo MG), me argumentin e subvencioneve të padrejta. Megjithatë, ky hap ka prodhuar një efekt boomerang: Kina është kundërpërgjigjur duke shtrenjtuar eksportin e lëndëve të para kritike për bateritë (litiumi, grafiti).
Rezultati: Prodhimi i një makine elektrike në Evropë tani kushton 20% deri në 30% më shumë sesa në Kinë. Kjo solli mbylljen e fabrikave historike të Volkswagen AG në Gjermani për herë të parë në 87 vjet; makina evropiane po kthehet në një produkt luksi i papërballueshëm për vetë evropianët.
Mikroprocesorët dhe Varësia Teknologjike
Përmes EU Chips Act, Evropa po tenton të prodhojë mikroprocesorët e saj, por kjo kërkon investime kolosale që rëndojnë mbi taksat. Ndërkohë që bllokohet eksporti i makinerive të avancuara të litografisë (ASM[3]L) drejt Kinës, kjo e fundit po investon miliarda në teknologjinë e saj. Prodhuesit evropianë detyrohen të blejnë çipa më të shtrenjtë “Made in EU”, duke bërë që produktet finale (nga robotika te pajisjet mjekësore) të humbin konkurrueshmërinë në tregun global.
3. Thirrja për Ekzistencë
Nuk është rastësi që gjigantët e industrisë gjermane po fikin furrnaltat. Kur bllokon importin e lirë të mikroprocesorëve dhe baterive në emër të sovranitetit, pa pasur një alternativë me kosto të ulët brenda shtëpisë, ti praktikisht po dënon industrinë tënde me vdekje. Një makinë elektrike evropiane që kushton 45,000 euro nuk mund të konkurrojë në tregun e lirë, kur qytetari ka xhepa bosh.
Realiteti ekonomik është i pamëshirshëm: kur taksat e qytetarëve shpërdorohen për subvencione gjeopolitike ndërkohë që infrastruktura kombëtare degradon, vota ndëshkuese është reagimi i vetëm logjik.
4. Hungaria dhe Naftësjellësi “Druzhba”: Kur Siguria Energjetike mposht sanksionet
Nëse Sofja dha mesazhin e parë, Budapesti sapo ka rikonfirmuar se rruga e pragmatizmit nuk ka kthim prapa. Pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga Brukseli për të ndërprerë varësinë nga energjia ruse, deklaratat e fundit të Kryeministrit hungarez pas fitores së tij elektorale janë një dëshmi e qartë e prioritetit kombëtar.
- Vazhdimësia e “Druzhba”: Deklarata për mbajtjen hapur të naftësjellësit “Druzhba” nuk është thjesht një zgjedhje teknike, por një deklaratë politike ekzistenciale[4]. Hungaria refuzon të sakrifikojë stabilitetin e saj industrial dhe çmimet e përballueshme për konsumatorin vendas në favor të një agjende sanksionesh që, në fund të fundit, po rëndon më shumë mbi qytetarët evropianë sesa mbi objektivin e synuar.
- Mireqenia mbi Diktimin: Edhe në Hungari, mesazhi është i njëjtë: fokusi te mirëqenia e elektoratit nuk do të ndryshojë për t’iu përshtatur kërkesave të BE-së, nëse këto të fundit dëmtojnë ekonominë familjare. Budapesti po tregon se sovraniteti sot nuk matet me flamuj, por me kapacitetin për të garantuar ngrohje dhe industri funksionale në një kohë krizash globale.
“Elektorati po refuzon të paguajë faturën e një ideologjie që e kthen Evropën në një muze të vlerave të bukura, por me xhepa bosh dhe industri të falimentuar. Vota për stabilitet nuk është tradhti ndaj aleancave, por një thirrje për ekzistencë.”
Autonomia si Rilindje
“Sofja në Kryqëzim” është vetëm fillimi i një “Rilindjeje” që kërkon një rol më autonom për Evropën. Mesazhi është i prerë: uniteti i vërtetë nuk mund të ndërtohet mbi rrënimin ekonomik të shtetasve. Ky korrigjim tregon se elitat duhet të braktisin romantizmin e kushtueshëm dhe t’i kthehen Realpolitikës. Evropa ose do të jetë ekonomikisht e fortë dhe sovrane në vendimet e saj, ose do të mbetet një spektatore pasive, e mbytur nga pasiguria sociale që prodhoi vetë.
© 2026 Argumentum
[1] Teoria e Kontratës Sociale është zhvilluar fillimisht nga Hobbes, Locke, dhe Rousseau
[2] Nocion politik i mbështetur ndër vite nga Otto von Bismarck, Henry Kissinger, George H. W. Bush etj,.
[3] Kompani lider në tregun botëror tw gjysëmpërcuesve me seli në Holand
[4] https://www.reuters.com/business/energy/hungarys-magyar-calls-ukraine-restart-druzhba-soon-possible-2026-04-20/



























































