Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe Kryeministri Edi Rama kanë reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë.
Presidenti Begaj shprehu tronditjen e thellë për tragjedinë, duke kërkuar rritjen e masave për sigurinë në qarkullim dhe një hetim të plotë të ngjarjes. “Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël. Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital”, u shpreh kreu i shtetit, duke theksuar se jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë.
Edhe Kryeministri Edi Rama reagoi duke shprehur keqardhje për ngjarjen. Në një postim në platformën X, kreu i qeverisë shpreh keqardhjen për ngjarjen e rëndë, ndërsa i bashkohet lutjes për shërimin e fëmijës së tretë, i cili ndodhet në spitalin e Traumës. Mësohet se i mituri ndodhet në gjendje të rëndë.
“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital.”, shkruan Rama.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku dy fëmijë kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti rrugor.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 14:20 në lagjen nr. 15 të qytetit, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka përplasur tre të mitur rreth 10 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, dy prej fëmijëve kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa i treti është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore në spitalin e Durrësit dhe më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë.
/Argumentum.al



























































