Kina u ka bërë thirrje vendeve anëtare të G20-ës që të ruajnë multilateralizmin dhe të forcojnë bashkëpunimin, ndërsa ministrat e tregtisë u mblodhën në Miluoki të shtetit Uiskonsin në ShBA nga 30 shtatori deri më 1 tetor për të diskutuar lidhur me sigurinë ushqimore, mbikapacitetin industrial, punën e detyruar dhe parimin e vendit më të favorizuar.
Sipas Ministrisë së Tregtisë të Kinës, në këtë mbledhje u miratua një deklaratë e përbashkët për sigurinë ushqimore, ndërsa për çështjet e tjera nuk u arritën dokumente përfundimtare.
Përfaqësuesi për Tregtinë Ndërkombëtare dhe zv.ministër i Tregtisë i Kinës, Li Chenggang, mori pjesë në mbledhje dhe foli për çështjet kryesore. Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të G20-ës që të mbrojnë multilateralizmin dhe të mbështesin sistemin tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në qendër. Për parimin e vendit më të favorizuar, Li theksoi që duhet të ruhet dhe të forcohet si themel i sistemit tregtar shumëpalësh, ndërsa lidhur me kapacitetet prodhuese, bëri thirrje për një analizë gjithëpërfshirëse e objektive nga një perspektivë globale, duke vendosur një theks më të madh në dialogun e bashkëpunimin për politikën industriale.
Gjatë mbledhjes, Li zhvilloi gjithashtu takime dypalëshe ose biseda të shkurtra me kryetarët e delegacioneve nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Arabia Saudite, Rusia, Brazili, Kanadaja, Meksika, Argjentina, Australia, Koreja e Jugut dhe Polonia.
Pas mbledhjes, Kina mori pjesë në mënyrë konstruktive në diskutime, ruajti komunikimin me anëtarët e tjerë dhe kërkoi të promovojë bisedimet e bashkëpunimin, tha Ministria e Tregtisë, duke shtuar që pala kineze do të bashkëpunojë me palën amerikane dhe anëtarët e tjerë të G20-ës përpara samitit të G20-ës në Majemi, për të kontribuuar në arritjen e rezultateve ekonomike e tregtare./cgtn




















































