Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të shqyrtojnë të hënën përgjigjen e tyre për ndalimin e kritikut të Kremlinit Aleksei Navalny, dy ditë pasi policia ka tentuar të shtypë protestat në mbështetje të tij.
Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se “hapat e ardhshëm” ndaj Rusisë do të diskutohen në takimin, i cili vjen ndërkohë që disa vende anëtare të BE-së bëjnë thirrje për më shumë sanksione kundër Moskës.
Borrell ka organizuar takimin pas protestave të mbajtura në gjithë Rusinë më 23 janar, në të cilat janë ndaluar më shumë se 3,700 protestues, sipas grupit vëzhgues, OVD-Info.
Aty përfshihen edhe 1,455 të ndaluar në kryeqytetin rus, ku është raportuar edhe për dhjetëra persona të plagosur pas përleshjeve me policinë.
Shtetet perëndimore kanë dënuar ashpër “taktikat e rrepta” të përdorura kundër protestuesve.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë më 24 janar se arrestimi masiv i protestuesve ka qenë “i patolerueshëm” dhe “rrëshqitje drejt autoritarizmit”.
Presidenti polak, Andrzej Duda, është në mesin e liderëve që kanë bërë thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë për shkak të trajtimit të Navalnyt, ka raportuar Financial Times.
Lideri polak po ashtu ka thënë se Borrell duhet të shqyrtojë mundësinë e vizitës në Rusi muajin tjetër nëse Navalny nuk lirohet.
Një ditë pas protestave, të cilat po konsiderohen si më të mëdhatë ndër vite në Rusi, Kremlini ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në çështjet e brendshme të Rusisë. Por, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nëse administrata e re e presidentit amerikan Joe Biden do të jetë e hapur për dialog, ai nuk ka dyshim se presidenti rus, Vladimir Putin do të përgjigjej në mënyrë reciproke.
Këto akuza Peskov i ka bërë përgjatë një interviste më 24 janar, ndonëse të njëjtat janë bërë edhe nga Ministria e Jashtme ruse.