Nga 1 maji, Kina zbaton “tarifa zero” për 20 vendet më pak të pazhvilluara afrikane që kanë lidhje diplomatike me të, me afat 2-vjeçar, duke mbuluar kështu të 53 vendet afrikane që kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën. Kryetari i Dhomës së Tregtisë Kinë-Afrikë në Ganë u shpreh që kjo ka krijuar jo vetëm një hapësirë më të madhe tregtare, por edhe mundësi të mirë për ndërmarrjet afrikane dhe i ka sjell një hov të fuqishëm modernizimit të Afrikës.
Këtë vit shënohet 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Afrikës. Në fakt, që nga 1 dhjetori 2024, Kina nisi të zbatojë “tarifa zero” për 100 % të produkteve të klasifikuara nga 33 vendet më të pazhvilluara afrikane. Që prej atëherë kanë ndodhur shumë ndryshime të dukshme: trëndafilat e Etiopisë, kafeja e Angolës, ananasi i Beninit dhe një shumëllojshmëri produktesh të tjera tipike afrikane kanë hyrë në mijëra familje kineze, duke pasuruar jetën e konsumatorëve kinezë. Ndërsa produktet afrikane shiten më mirë, të ardhurat rriten më shumë dhe vendet e punës shtohen më tej. Kështu, nga bashkëpunimi Kinë-Afrikë përfitojnë popujt e të dyja palëve në mënyrë praktike.
Në vitin 2025, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe Afrikës u rrit me 17.7 % krahasuar me vitin 2024, dhe Kina u bë për 17 vite radhazi partnerja më e madhe tregtare e Afrikës. Më 14 shkurt 2026, bashkëpunimi midis Kinës dhe Afrikës arriti një tjetër hap përpara: pala kineze njoftoi se që nga 1 maji do të zbatojë plotësisht “tarifa zero” për 53 vendet afrikanë me të cilat ka vendosur marrëdhënie diplomatike. Kështu, Kina u bë ekonomia e parë kryesore në botë që zbatoi “tarifa zero” për të gjitha vendet afrikanë me të cilat ka lidhje diplomatike, duke krijuar një model bashkëpunimi të dobishëm për të dyja palët për rimëkëmbjen e tregtisë globale.
Cilat janë pikat e reja në politikën e kësaj here krahasuar me heqjen e tarifave për vendet më të pazhvilluara?
Nga njëra anë, kjo është një marrëveshje fazore dhe pionere midis Kinës dhe vendeve afrikane që nuk bëjnë pjesë te vendet më të pazhvilluara, gjatë procesit të negociatave për Partneritetin Ekonomik për Zhvillim të Përbashkët Kinë-Afrikë, me synim zgjidhjen në një kohë të shkurtër të problemeve praktike që kanë këto vende afrikane për të përfunduar negociatat me Kinën. Kjo do të thotë që vendet afrikane do të vazhdojnë më pas të avancojnë negociatat e marrëveshjes me Kinën, për të garantuar përfitimin afatgjatë, të qëndrueshëm dhe sistemor prej trajtimit me “tarifa zero”.
Nga ana tjetër, mallrat afrikane që përmbushin rregullat e origjinës dhe standardet kineze të inspektimit, kontrollit të cilësisë dhe karantinës mund të përfitojnë menjëherë nga “tarifa zero”, gjë që rrit ndjeshëm nivelin e lehtësimit të tregtisë dhe tregon elasticitetin dhe lehtësinë e politikave përkatëse.
Çfarë do t’i sjellë Afrikës heqja e tarifave nga Kina duke filluar nga 1 maji?
Kjo do të ofrojë një “mburojë” për Afrikë në përballimin e sfidave dhe rreziqeve. Tani konfliktet gjeopolitike globale po përkeqësohen, proteksionizmi e unilateralizimi po rriten dhe zhvillimi i vendeve afrikane po përballet me sfida të mëdha. Ato kanë nevojë urgjente të dalin nga ngërçi i krijuar prej pengesave të zhvillimit nëpërmjet zgjerimit të eksporteve dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Kina ka zbatuar “tarifa zero” në mënyrë të plotë për Afrikën dhe nuk ka vendosur asnjë kusht politik, gjë që pa dyshim do të ofrojë një treg më të madh për produktet afrikane dhe do të rritë besim në rritjen ekonomike të Afrikës. Gazeta keniane “Business Daily” shkruan që “tarifa zero” ka ulur drejtpërdrejt kostot e produkteve afrikane për tregun kinez, duke rritur kështu konkurrueshmërinë e tyre në këtë treg të madh.
Tani Afrika po përshpejton procesin e industrializimit, dhe “tarifa zero” do të tërheqë më shumë investime të huaja në Afrikë, duke sjellë kapital, teknologji dhe përvojë menaxhimi, duke nxitur përpunimin në vend të produkteve me karakteristika afrikane për t’i eksportuar pastaj për në Kinë. Kjo do të ndihmojë industrializimin dhe modernizimin e bujqësisë afrikane, duke bërë që Afrika të ketë kontroll të sigurt mbi zhvillimin e saj. Për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, e vlerësoi lart politikën e “tarifës zero” të Kinës për vendet në zhvillim dhe bëri thirrje që “të gjitha vendet e zhvilluara dhe vendet me fuqi të madhe ekonomike të marrin masa të ngjashme”.
Për tregtinë kineze dhe botërore, “tarifa zero” krijon hapësira të reja: më shumë produkte cilësore afrikane hyjnë në jetën e përditshme të kinezëve me çmim të arsyeshëm, duke plotësuar nevojat e konsumatorëve për produkte të ndryshme, të shëndetshme e të veçanta. Kostot e importit të materialeve për kompanitë kineze ulen, investimet dhe bashkëpunimi jashtë vendit mund të bëhen më të lirshme dhe do të ketë më shumë raste për forcimin e përbashkët të kapacitetit të prodhimit dhe bashkëpunimin në zinxhirin industrial.
Pa modernizimin e Kinës dhe Afrikës, nuk do të ketë modernizimin e botës. Kjo “kartë kalimi” me “tarifa zero” jo vetëm që ka hapur një kapitull të ri bashkëpunimi Kinë-Afrikë, por gjithashtu injekton besim dhe energji në ekonominë botërore./cgtn



























































