Dr. Ermir I. Hajdini
Keshilltar Ligjor & Lektor Universitar
Pas botimit të artikullit tonë të parë mbi sovranitetin digjital dhe rolin e “Chief Digital Envoys“, është e natyrshme që diskutimi të zhvendoset nga “çfarë” duhet të bëjmë, te “si” duhet ta ekzekutojmë atë. Procesi i integrimit Euroatlantik i vendit kërkon nga diplomacia të jetë më efikase më proaktive. Në këtë kontekst, koncepti i paradiplomacisë nuk është më një luks akademik, por një mjet operacional që kërkon një qasje të re: Diplomacinë me dy shpejtësi.
1.Groundworks dhe Kredibiliteti: Shpejtësia e Parë
Çdo investim i huaj direkt (FDI) fillon me besimin. Qeveria qendrore ka detyrën parësore të bëjë “punët e shtëpisë” (groundworks). Kjo është Shpejtësia e Parë e diplomacisë sonë: krijimi i një kornize ligjore solide, harmonizimi me rregulloret ndërkombëtare dhe ndërtimi i një infrastrukture strategjike.
Ky “podium” ndërkombëtar që ndërton shteti shërben si spiranca e kredibilitetit të vendit. Pa këtë shpejtësi, që lëviz me ritmin e sigurisë juridike dhe protokollit shtetëror, asnjë investitor serioz nuk do të konsideronte Shqipërinë si destinacion.
2. Paradiplomacia dhe Agjiliteti: Shpejtësia e Dytë
Nëse qeveria qendrore ndërton pistën, na duhen pilotët që të operojnë në të. Këtu hyn Shpejtësia e Dytë: paradiplomacia agjile. Kjo shpejtësi operon me ritmin e tregut dhe teknologjisë. Ajo nuk pret radhën në korridoret e burokracisë, por reagon në kohë reale ndaj flukseve globale të kapitalit digjital.
Për të sinkronizuar këto dy shpejtësi, propozimi është konkret: çdo ambasadë e Shqipërisë duhet të ketë një zyrtar të dedikuar dhe të trajnuar posaçërisht në funksion të e-diplomacisë dhe thithjes së FDI.
3. Diplomati i Karrierës si “Digital Envoy”
Në këtë vizion, nuk ka vend për struktura paralele apo eksperimente me specialistë të jashtëm që nuk njohin indin e shtetit. Ky funksion duhet t’i përkasë ekskluzivisht diplomatit të karrierës.
Diplomati i karrierës zotëron “kujtesën institucionale” dhe peshën e autoritetit shtetëror. Duke i shtuar kësaj figure trajnimet specifike mbi mjetet e e-diplomacisë dhe teknikat e negociimit për investime teknologjike, ne krijojmë një “Diplomat Hibrid”. Ky zyrtar shndërrohet në urën lidhëse që përkthen vizionin politik të qeverisë (Shpejtësia 1) në rezultate konkrete ekonomike (Shpejtësia 2).
4. Nga Ambasada te Investimi: Roli i Ri i Misioneve tona
Një ambasade nuk duhet t’i kërkohet më vetëm raportim politik, por performancë ekonomike. Zyrtari i trajnuar duhet të jetë pika e parë e kontaktit për kompanitë teknologjike, duke shërbyer si një “fast track” (korsi e shpejtë) për ta.
Kur një investitor i huaj gjen në ambasadë një diplomat karriere që kupton sovranitetin e të dhënave, inteligjencën artificiale dhe dinamikat e FDI-ve, rreziku i perceptuar ulet drastikisht. Kredibiliteti i shtetit kthehet kështu në një magnet të fuqishëm për kapitalin e huaj.
Përfundim
Shqipëria ka mundësinë të kalojë nga një diplomaci thjesht përfaqësuese në një diplomaci të rritjes ekonomike. Duke integruar diplomacinë me dy shpejtësi dhe duke fuqizuar diplomatin e karrierës me mjetet e epokës digjitale, ne sigurojmë që “groundworks” i qeverisë të përkthehet në zyra, teknologji dhe vende pune në terren. Nuk kemi nevojë për institucione të reja; kemi nevojë për diplomatë që flasin gjuhën e shekullit të 21-të.
© 2026 Argumentum




























































