Joschka Fischer – [i]
Ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë
Kur flitet për atë se cili do t’a udhëheqë kontinentin, nuk ka alternativë tjetër veç Gjermanisë dhe Francës. Dy fuqitë më të mëdha europiane duhet të ndërmarrin iniciativën dhe të mbushin boshllëkun e shkaktuar nga tërheqja e Amerikës.
Çfarë Europe do të jetë pa praninë ushtarake dhe politike të Shteteve të Bashkuara? Për europianët është më mirë të fillojnë përgatitjet për këtë mundësi, sepse nuk ka më dyshime se presidenti Donald Trump dëshrion t’i japë fund aleancës veriatlantike dhe është në rrugë të mbarë për t’a bërë një gjë të tillë. Pyetja e vetme që shtrohet është nëse do të tërheqë edhe formalisht ShBA-të nga NATO-ja, apo thjesht do t’a zbrazë nga kuptimi nëpërmjet injorimit dhe raportit përbuzës.
Në çdo kuptim, shpërbërja e aleancës tashmë ka nisur. Arranzhime të cilët e kanë kaluar testin e kohës, sikurse është ai mbi të cilin bazohet NATO-ja, zakonisht nuk gremisen brenda një dite ose me një akt të vetëm. Pikërisht e kundërta, ato kurorëzohen sepse zvoglohet besimi në përkushtueshmërinë ndaj parimeve bazë të tyre – në këtë rast, mbrojtjes së përbashkët. Është pikërisht kjo që po ndodh gjatë mandatit të dytë të Trampit, sidomos tani, mbasi europianët u përmbajtën duke qëndruar larg përfshirjes së tyre në luftën katastrofale në Lindjen e Afërme. Ndërkohë, edhe përkundër gjoja angazhimit të Partisë republikane për ruajtjen e mbrojtjes së fortë amerikane, asnjë figurë e shquar nuk e ka kritikuar publikisht Trampin për dëmet e pariparueshme që po shkakton.
Gajtë Luftës së Ftohtë dhe në periudhën direkt pas saj prania amerikane në Europë ishte faktori vendimtar i sigurisë europiane dhe stablitetit të saj të brendshëm. ShBA-të garantuan paqe dhe begati të cilat mundësuan integrimin europian dhe, në fund të fundit, krijimin e Bashkimit Europian. Por Trampi dhe lëvizja MAGA e tij as që e çajnë kokën për këtë histori. Gëja e vetme ku ata mund të konsiderohen koherentë, është se ata mëkojnë mostolerancë të thellë ndaj Europës dhe janë të vendosur t’a kthejnë Europën në epokën e nacionalizmit destruktiv.
Ky është një objektiv rrezikshmërisht i gabuar, duke patur parasysh se realizimi i tij në fund të fundit edhe vetë Amerikën do t’a bënte akoma më të dobët dhe më të izoluar. Por një argument i tillë nuk merret parasysh nga Trampi. Pas humbjes zgjedhore të aleatit të tij liberal në Hungari, Vktor Orbanit, do të jetë akoma më shumë i prirur për të braktisur europianët.
Për herë të parë pas tetë dhjetëvjeçarësh Europa do të lihet e vetme. Europianët do të duhet të vendosin vetë mbi fatin e tyre dhe të marrin përgjegjësinë për sigurinë e tyre. Kjo mund duket si konkluzion banal sikur të mos ekzistonte historia e përgjakshme e Europës. Tërheqja e ShBA-ve nga teatri europian pas Luftës së Parë Botërore përgatiti terrenin për ngritjen e Hitlerit dhe, në fund atë të Luftës së Dytë Botërore. Sikur fuqia udhëheqëse ushtarake dhe ekonomike do të mbetej e pranishme në periudhën mes dy luftërave, revanshizmi gjerman nuk do të ndodhte.
Ky ishte mesazhi të cilin gjenerata e luftës nxorri nga Lufta e Dytë Botërore dhe e zbatoi në periudhën e pasluftës. Presidenti Hari Truman ruajti një prani të fortë amerikane në Europë jo vetëm për t’iu përgjigjur kërcënimit në formën e Ushtrisë së Kuqe të Stalinit – e pranishme atëbotë në Berlin, në vetë qendrën e Europës – por edhe për të zvogluar frikërat e Europës nga revanshzimi gjerman. Ky vendim historik krijoi kushtet për një Europë “gjithnjë e më të lidhur”. Ishte pikërisht prania amerikane në kontinent ajo që mundësoi bashkimin e Gjermanisë dhe zgjerimin e NATO-s në Lindje të Europës. Po të mos ishte ajo, Europa sikurse e njohim sot, nuk do të kishte ekzistuar kurrë.
Çfarë sjell atëherë e ardhmja postamerikane për Europën? A mund të përkujdeset ajo për sigurinë e saj dhe të ruajë unitetin pa ShBA-të? Tërheqja e Amerikës, e lë Gjermaninë të përballet me problemet e rënda të historisë së saj të aspiratave hegjemoniste në kontinent. A demonstron brezi i ri i liderve politikë gjermanë ndjeshmërinë e nevojshme për të marrë mbi vete rolin e ri, në partneritet me Francën dhe të tjerët? Ngritja e së djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) tregon se asgjë nuk duhet marrë e sigurtë njëherë e mirë.
Ku shtrohet pyetja se cili do të udhëheqë Europën, nuk ka alternativë tjetër veçse Gjermanisë dhe Francës. Dy fuqitë më të mëdha europiane duhet të ndërmarrin iniciativën dhe të mbushin boshllëkun e shkaktuar nga tërheqja e Amerikës. Europianët nuk mund të rrinë e të presin që ShBA-të t’u sigurojnë lidershipin e duhur.
Njeriut i vjen të pyesë nëse amerikanët janë të vetëdijshëm se po asgjësojnë suksesin më të madh diplomatik në historinë e tyre dhe po dëmtojnë rëndshëm themelet e fuqisë dhe begatisë amerikane. Nuk ka arësye të besohet se ShBA-të thjesht do të heqin dorë nga partneri i tyre strtaegjik dhe për këtë të mos paguajnë asnjë çmim.
Për fat të keq, nuk ka më kuadër kohor për ndryshim kursi. Protektorati afatgjatë amerikan përfundoi me erën e Trampit dhe nuk ka për t’u rinovuar më. Tani Europa duhet të projektojë kursin e saj. Në njëfarë mënyre raporti transatlantik – vetë ideja e Perëndimit – do të duhet të ripërcaktohet me të kaluar ethja e MAGA-s. Por madje edhe në mesin e kaq shumë pasigurive, një gjë mbetet e qartë: Europianët dhe Amerikanët në rendin e ri botëror gjithmonë do të jenë më të fortë sëbashku sesa të ndarë.
[i] https://radar.nova.rs/global/evropa-sad-eu-nato-tramp/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA



























































