Ajo që dikur ishte qendra më e madhe për azilkërkuesit dhe pritjen e emigrantëve në Evropë, CARA Mineo, pranë Catanias, në Sicili, është mbyllur zyrtarisht këtë të martë. Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini përshëndeti këtë veprim, duke thënë se hetimet e policisë kishin zbuluar veprimtari “mafioze” në qendër.
Ministri i Brendshëm Matteo Salvini deklaroi se ai e mbajti premtimin që kishte bërë: mbylljen e kampit në Mineo, i cili në korrik të vitit 2014 strehonte më shumë se 4,100 persona.
Salvini tha: “Disa hetime kanë nxjerrë në dritë aktivitetin e dukshëm të mafias, jo vetëm italiane, por edhe nigeriane, e cila trafikonte drogë në të gjithë zonën. Tani që CARA po mbyllet mëngjesi është i bukur”.
Ministri i brendshëm italian, gjithashtu, theksoi se mbyllja e qendrës ishte një lajm pozitiv si për popullatën lokale ashtu dhe për të gjithë zonën, e cila tani nuk do të kishte më frikë nga veprat kriminale të emigrantëve.
Duhet theksuar se qeveria italiane e kishte zvogëluar numrin e emigrantëve në qendrën Mineo.
Që nga marrja e detyrës, Salvini ka nxjerrë dy ligje mbi emigrantët dhe sigurinë, e dyta hyri në fuqi së fundmi. Ai i ka “shpallur luftë” anijeve të shpëtimit vullnetare dhe po ka vënë në zbatim rregullat e “porteve të mbyllur” në Itali. Por qindra emigrantë të dëshpëruar vazhdojnë të vijnë nga Libia në brigjet italiane me mjetet e tyre.
Organizatat që ofrojnë ndihmë për emigrantët kanë akuzuar ministrin e brendshëm italian për mohimin e të drejtave themelore të emigrantëve, duke i margjinalizuar dhe duke i ekspozuar ata ndaj kriminalitetit, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.