Tetëdhjetë vjet pas fillimit të punës së Gjykatës Ndërkombëtare Ushtarake për Lindjen e Largët, ose Gjyqeve të Tokios, është publikuar për herë të parë një përkthim gjithëpërfshirës në gjuhën kineze i procesverbaleve të tij, duke hedhur një dritë të re mbi një prej proceseve gjyqësore më të rëndësishme të shekullit të 20-të.
Përkthimi i plotë në kinezishte i procesverbaleve të gjykatës, i ndarë në 40 vëllime, me mbi 20 000 faqe dhe 22 milionë hieroglife kineze, u publikua të enjten në Universitetin “Yuexiu” të Zhejiang-ut në Shaoxing të provincës Zhejiang të Kinën Lindore.
Ky projekt plotëson një zbrazëti të gjatë në dokumentacionin në gjuhën kineze në këtë fushë. Për dekada të tëra, procesverbalet e gjykatës mund të gjendeshin vetëm në anglishte dhe japonishte. Studiuesit theksojnë se përkthimi i tyre në kinezishte hap rrugë të reja për kërkime, ndërkohë që shton njohjen nga publiku të rëndësisë historike të gjyqeve.
Puna e përkthimit dhe redaktimit u krye për më shumë se një dekadë nga një ekip i përbashkët i Institutit të Kërkimeve për Gjyqet e Krimeve të Luftës dhe Paqen Botërore pranë Universitetit “Jiao Tong” të Shangait, Universiteti “Yuexiu” i Zhejiang-ut dhe Shtëpia Botuese e Universitetit “Jiao Tong” të Shangait./cgtn



























































