Me rastin e 21 Shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë ka përcjellë një mesazh urimi për Pakicën Kombëtare Maqedonase në Republikën e Shqipërisë, si dhe për të gjithë maqedonasit në mbarë botën.
Në mesazhin e saj, Shoqata thekson rëndësinë e veçantë që ka ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës amtare si një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar dhe kulturor. Sipas deklaratës, edukimi në gjuhën amtare përbën segmentin më të rëndësishëm në formësimin e tipareve themelore të një kombi dhe në ruajtjen e trashëgimisë së tij ndër breza.
“Edukimi në gjuhën amtare për fëmijët e Pakicës Kombëtare Maqedonase në Republikën e Shqipërisë do të thotë forcim dhe ruajtje e identitetit kombëtar dhe kulturor, në mënyrë që fëmijët tanë të rriten duke ushqyer dhe respektuar traditat e tyre kulturore dhe fetare”, thuhet në urimin e Shoqatës.
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë nënvizon se Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare shërben si një kujtesë për institucionet dhe shoqërinë në tërësi mbi rëndësinë e mbështetjes së diversitetit gjuhësor dhe garantimit të të drejtës për arsimim në gjuhën amtare për komunitetet pakicë.
Urimi është përcjellë nga Kryetari i Shoqatës, Nikolla Gjurgjaj, i cili ka riafirmuar angazhimin e vazhdueshëm të shoqatës për mbrojtjen e të drejtave, kulturës dhe identitetit të Pakicës Kombëtare Maqedonase në Republikën e Shqipërisë.
/Argumentum.al





























































