Ditën e sotme në orën 19:00 opozita e bashkuar me në krye PD dhe LSI pritet të organizojë protestën e 7 kombëtare. Edhe pse moti nuk duket shumë bujar me opozitë, nga rrethet prej orëve të pasdites janë nisur protestuesit e parë drejt kryeqytetit.
Dy orë para protestës, kreu i PD, Lulzim Basha thotë se nuk ka asnjë hap pas për çlirimin e vendit nga e keqja.
Në një videomesazh, Basha fton të gjithë qytetarët për pjesëmarrje në protestë.
“Pushteti i krimit ka rënë!
Parlamenti është i paligjshëm!
Fëmijët e shqiptarëve janë pa buke!
Shtëpitë po prishen për korrupsion!
Drejtësia është e kapur!
Biznesi po rrënohet!
Dhuna godet kudo. Thika e pushtetit ka prekur palcën!
Nuk durohet më!
Vetëm vota e lirë do të sjellë një qeveri që mendon për njerëzit!
Për mirëqenie, punësim dhe zhvillim.
Vetëm standardet dhe demokracia do hapin rrugën tonë drejt Evropës”, shkruhet në videomesazhin e Bashës.
Ende nuk është bërë i ditur skenari i protestës, por duhet theksuar se thirrjet e kreut të opozitës Lulzim Basha për largimin e Ramës sa nuk është vonë kanë qenë të shpeshta. Risjellim në vëmendje se protesta e fundit e opozitës mbajtur në 25 maj 2019, u zhvillua e qetë dhe pa akte dhune.
Më heret kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka bere thirrje
para protestes ,” sot më të vendosur, sot më të fortë, sot më të bashkuar!
Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare, ka nevojë që të gjithë bashkë të dëshmojmë se e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë peng i papërgjegjshmërisë së Edi Ramës!
Sot është dita e qytetarëve.
Prandaj të gjithë bashkë,
pa asnjë dallim në jemi të rinj apo të moshuar,
burra apo gra,
nga fshati apo nga qyteti,
nga Jugu a nga Veriu,
me apo pa parti,
të majtë apo të djathtë,
të jemi bashkë në protestën e shpresës, sepse e keqja po shembet dhe se e nesërmja bëhet më e mirë, vetëm kur qytetarët i dalin zot fatit të tyre!
Shqipëria pa varfëri dhe me punë të ndershme, pa korrupsion e në luftë me krimin e organizuar, pa drogë e oligarkë, por me njerëz që e duan familjen dhe atdheun e konsiderojnë shtëpinë e tyre, është më e rëndësishme, më e madhe dhe më e fortë se Edi Rama dhe klani i tij kriminal!
Sot më shumë, sot më të vendosur, sot më të fortë, sot më të bashkuar!