Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se autori i sulmit gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, është arrestuar, pasi lideri amerikan dhe të ftuarit e tjerë u evakuuan nga eventi mbrëmjen e së shtunës, sipas “The Washington Post”.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump e përshkroi autorin si një “ujk të vetmuar”, duke theksuar se ai ishte neutralizuar nga agjentë të Shërbimit Sekret, që vepruan shumë shpejt dhe me guxim.
Presidenti konfirmoi se një efektiv u qëllua në gjoks, por u mbrojt nga jeleku antiplumb.
“Jeleku bëri punën e tij”, tha ai, duke shtuar se kishte folur me oficerin, i cili është në gjendje të mirë.
Dy zyrtarë të rendit konfirmuan gjithashtu se plumbi u ndal nga mbrojtja balistike.
I dyshuari, i cili nuk u qëllua nga forcat e sigurisë, u transportua në Spitalin Universitar Howard, sipas burimeve zyrtare.
Shefi i përkohshëm i policisë në Uashington, Jeffery Carroll, e cilësoi ngjarjen si një incident të izoluar.
Ai bëri të ditur se i dyshuari ishte një i ftuar në hotel dhe ishte i armatosur me një armë gjahu, një pistoletë dhe thika, ndërsa kaloi një pikë kontrolli sigurie duke u drejtuar drejt sallës së banketit ku po zhvillohej darka.
Trump tha se fillimisht kishte menduar se zhurma ishte shkaktuar nga rënia e një tabakaje, por më pas kuptoi se bëhej fjalë për të shtëna.
“Disa e kuptuan shumë shpejt, të tjerë jo”, u shpreh ai.
Presidenti Trump e përdori incidentin për të theksuar nevojën për ndërtimin e një salle të re banketesh në Shtëpinë e Bardhë, duke argumentuar se ajo do të ofronte siguri më të lartë, përfshirë mbrojtje ndaj dronëve dhe xhama antiplumb.

























































