Nisur nga situata tejet e tensionuar në veri të Kosovës ku pas përplasjes me serbet kanë mbetur të plagosur 25 ushtarë të KFOR-it, ka reaguar edhe Tirana zyrtare duke e dënuar këtë përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Edi Rama
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama deklaron se: “thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare”.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka
Në një reagim në rrjetet sociale, Xhaçka thekson se “sulmet e dhunshme të paprovokuara kundër forcave të KFOR-it dhe shtypit janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”.
“Shprehim mbështetjen tonë të plotë për KFOR-in dhe urojmë shërim të shpejtë për ushtarët e lënduar. Çtensionimi i situatës së krijuar është kyç në këtë moment”, deklaron ministrja.
Kryediplomatja shqiptare nënvizon se “dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe njohjes reciproke që do të sigurojë stabilitet të qëndrueshëm në rajonin tonë”.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi
Në një reagim në rrjetet sociale, Peleshi shpreh shqetësim për situatën e krijuar atje ndërsa deklaroi se “dënojmë me forcë dhunën e përdorur ndaj trupave të KFOR, që po përpiqen për garantimin e sigurisë së qytetarëve atje”.
“Dialogu dhe ulja e tensioneve, zgjidhja e vetme për një bashkëjetesë të mirë dhe stabilitet në rajon”, nënvizon Peleshi.
Ministri u ka uruar shërim të shpejtë për trupat e lënduar.
KFOR-i ka njoftuar se rreth 25 ushtarë të këtij misioni janë plagosur në Zveçan gjatë protestave nga qytetarët serbë.
“Duke iu kundërvënë skajeve më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse”, njofton KFOR-i.
/Argumentum.al