Kisha Katolike nuk ka ende Papën e ri. Tymi i oxhakut sipër Kapelës Sikstine, ku mbahet Konklavi, është i zi.
Kardinajtë e mbledhur në Konklavin, që filloi sot, 7 maj, bënë votimin e parë e të vetmin e kësaj dite. Pasi shprehën votat e tyre e pas numërimit e lidhjes me fill, fletëvotimet u dogjën në dy sobat, që përdoren për të prodhuar tymin, i cili lajmëron për zgjedhjen ose jo të Papës së ri. Tymi mbi Kapelën Sikstine, që u duk pas orës 19.00, ishte i zi, shenjë e qartë se kardinajtë nuk kanë rënë dakord për emrin e Atit të Shenjtë, i cili ende nuk është zgjedhur.
Besimtarët, të cilët e ndoqën tymin nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Vatikan, si edhe katolikët e gjithë botës, që e ndoqën nga ekranet, ftohen të vazhdojnë lutjet që Shpirti Shenjt t’ua shndrisë mendjet e zemrat kardinajve për gjetjen e atij emri, që i duhet më shumë sot Kishës dhe botës.