Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse reagoi ashpër ndaj sulmeve ajrore të ndërmarra në mëngjesin e 28 shkurtit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli në territorin e Iranit, duke i cilësuar ato si “akt të qëllimshëm dhe të paprovokuar agresioni të armatosur” kundër një shteti sovran dhe anëtar të OKB-së.
Sipas deklaratës zyrtare, shkalla e përgatitjeve ushtarako-politike dhe propagandistike që i paraprinë sulmeve, si dhe dislokimi i një kontingjenti të konsiderueshëm ushtarak amerikan në rajon, dëshmojnë për një veprim të planifikuar paraprakisht. Moska thekson se këto veprime përbëjnë shkelje të parimeve dhe normave themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Ministria ruse kritikoi gjithashtu faktin që sulmet po kryhen në një moment kur ka rifilluar procesi i negociatave për normalizimin afatgjatë të situatës rreth Republikës Islamike të Iranit. Sipas saj, veprimet ushtarake bien ndesh me deklarimet e mëparshme se pala izraelite nuk ishte e interesuar për përballje ushtarake me Iranin.
Në reagim, Moska i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, që të japin një vlerësim “objektiv dhe të pakompromentueshëm” për situatën, duke paralajmëruar se zhvillimet aktuale rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.
Sipas deklaratës, Uashingtoni dhe Tel Avivi po e çojnë rajonin drejt një krize të thellë humanitare, ekonomike dhe potencialisht radiologjike. Moska thekson se përgjegjësia për pasojat e mundshme, përfshirë një përshkallëzim të pakontrolluar të dhunës, bie mbi palët që ndërmorën sulmet.
Këtë qëndrim e ka përcjellë edhe Ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri, duke publikuar deklaratën në faqen e saj zyrtare në Facebook.
Deklarata e plotë:
Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse në lidhje me agresionin e armatosur të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit
Në mëngjesin e 28 shkurtit, forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit nisën sulme ajrore në territorin iranian.
Shkalla dhe natyra e përgatitjeve ushtarako-politike dhe propagandistike, që i paraprinë këtij hapi të pamend, përfshirë përfshirjen e një kontingjenti të konsiderueshëm ushtarak amerikan në rajon — nuk lënë asnjë dyshim se ky është një akt i qëllimshëm dhe i paprovokuar i një agresioni të armatosur kundër një shteti sovran dhe të pavarur, anëtar të OKB-së, duke shkelur parimet dhe normat themelore të së drejtës ndërkombëtare.
I dënueshëm është edhe fakti, që sulmet po kryhen sërish nën mbulesën e procesit të rifilluar të negociatave, i cili gjoja synon të sigurojë normalizimin afatgjatë të situatës rreth Republikës Islamike, dhe përkundër sinjaleve të përcjella palës ruse se izraelitët nuk janë të interesuar për përballje ushtarake me iranianët.
Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë udhëheqjen e OKB-së dhe IAEA-s, duhet menjëherë të japë një vlerësim objektiv dhe të pakompromentueshëm për veprimet e papërgjegjshme që synojnë shkatërrimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Lindjen e Mesme.
Uashingtoni dhe Tel Avivi nisën sërish në një aventurë të rrezikshme që po e çon rajonin me shpejtësi drejt një katastrofe humanitare, ekonomike, pa përjashtuar atë radiologjike.
Qëllimet e agresorëve janë të qarta dhe të deklaruara hapur: të shkatërrojnë rendin kushtetues dhe të largojnë udhëheqjen e një shteti që nuk u pëlqen, i cili ka refuzuar t’i nënshtrohet diktateve dhe hegjemonisë së tyre. Përgjegjësia për pasojat negative të kësaj krize artificiale, përfshirë një reaksion zinxhir të paparashikueshëm dhe përshkallëzim të dhunës, bie tërësisht mbi ta.
Po injorohen hapur pasojat serioze të këtyre hapave të nxituar për regjimin global të mospërhapjes së armëve bërthamore, gur themeli i të cilit është Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) Ndërkohë, tandemi amerikan-izraelit fshihet pas një shqetësimi imagjinar se iranianët mund të marrin armë bërthamore. Bombardimi i objekteve bërthamore, të ndodhur nën garancinë e IAEA-s, është i papranueshëm.
Në të vërtetë, motivet e Uashingtonit dhe Tel Avivit nuk kanë aspak motive lidhje me regjimin e mosperhapjes. Ata nuk mund të mos e kuptojnë se duke zhytur Lindjen e Mesme në një përshkallëzim të pakontrolluar, ata në mënyrë efektive inkurajojnë vendet në mbarë botën, veçanërisht në këtë rajon, të pajisen me mjete gjithnjë e më serioze për t’u kundërpërballur me kërcënimet në zhvillim.
Shqetësim të veçantë ngjall natyra sistematike e goditjeve destabilizuese, të dhëna nga administrata amerikane në muajt e fundit ndaj themeleve ligjore ndërkombëtare të rendit botëror, duke përfshirë mosndërhyrjen në çështjet e brendshme, mospërdorimin e kërcënimit apo të forcës, dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.
/Argumentum.al





























































