Kreu i PD, Lulzim Basha ka takuar drejtuesit e Dhomës së Tregtisë në Pordenone-Udine në Itali. Në qendër të diskutimit kanë qenë sektorët me interes të anëtarëve të dhomës së tregtisë për të investuar në Shqipëri, dhe potencialin e madh që ofron vendi yne.
“I njoha me platformën ekonomike të PD-së, lehtësirat fiskale, masat e menjëhershme për të luftuar korrupsioni dhe garantuar konkurencën e ndershme të cilat sot po i mbajnë investitorët larg vendit tonë. Thithja e investimeve te huaja do të jetë prioritet i qeverisë së PD, si mundësi për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vëndeve te reja të punës”, shprehet Lulzim Basha.
Sipas Bashës, tërmeti i 26 Nëntorit tregoi se shteti është i papërgatitur për të reaguar ne situata të tilla.
“E konsideroj emergjente dhe kam nisur hartimin e nje plani për emergjencat civile që të jetë gati për tu vene ne zbatim në ditët e para të qeverisjes. Së bashku me partnerët tanë italianë kemi rënë dakord të ndërtojmë një qendër të emergjencave civile e cila të jetë e mirëtrajnuar, e mirëpajisur dhe e gatshme për të vepruar menjëherë bazuar në përvojën më të mirë që është ajo e Italisë dhe brenda Italisë ajo e Friuli-Venezia-Giulia”, tha Basha.
Është zotimi im – tha Basha – që qeveria e ardhshme nuk do të gjendet e papërgatitur para fatkeqësive natyrore qofshin këto tërmete, përmbytje, zjarre etj por do të kemi një instrument të përgjigjes së menjëhershme për t’iu ardhur menjëherë në ndihmë banorëve, për të jetët njerëzore.
Basha u takua edhe me Kryetarin e Bashkise së Pordenone, Alessandro Ciriani dhe me komunitetin shqiptar që jeton këtu.