Një delegacion i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Kroaci-Shqipëri, i kryesuar nga Ermina Lekaj Prljaskaj, kryetare e këtij grupi, zhvilloi një takim në Tiranë të mërkurën me kryetaren e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli, gjatë të cilit u diskutuan projektet e krijimit të një Linja detare e pasagjerëve Durrës- Rijekë dhe nisja e fluturimeve direkte Tiranë-Zagreb ishin ndër projektet dhe mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë.
Kodheli vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve si dhe mbështetjen që Kroacia i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, sikurse dhe çështjes kombëtare shqiptare në përgjithësi.
Ermina Lekaj Prljaskaj, pasi falënderoi për pritjen e përzemërt nga kolegët parlamentarë shqiptarë, theksoi vullnetin e Kroacisë për intensifikimin e vazhdueshëm e të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Në këtë kuadër ajo përmendi një sërë projektesh e mundësish bashkëpunimi që mund të zhvillohen në kuadrin e partneritetit strategjik si: vendosja e linjës detare për pasagjerë Durrës – Rijeka, vendosja e fluturimeve direkte Tiranë – Zagreb, finalizimi i një memorandumi bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, projektet për pastrimin e detit, bashkëpunimi universitar në fushën e mjekësisë, turizmit dhe atë detar etj. Parlamentarja kroate shprehu bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore midis dy vendeve kanë një potencial të madh për t’u forcuar e zhvilluar edhe më tej, veçanërisht në fushën ekonomike dhe atë të infrastrukturës.
Më tej, bashkëbiseduesit folën për situatën e krijuar nga sulmi i Rusisë mbi Ukrainën dhe rëndësinë që i duhet kushtuar forcimit të bashkëpunimit, konsolidimit të demokracisë dhe proceseve integruese euroatlantike në rajon, si një domosdoshmëri për parandalimin e këtij rreziku dhe ruajtjen sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në momentet aktuale.
/Argumentum.al