Kjo nuk është hera e parë që FSK-ja dislokohet jashtë vendit. Më 2021, ajo mori pjesë në një mision në Kuvajt në bashkëpunim me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.
FSK-ja është aktualisht në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, proces që pritet të përfundojë deri në vitin 2028.
Si për këto misione, ashtu edhe për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, dërgimi i FSK-së jashtë vendit bëhet në bazë të Ligjit për dërgimin e kësaj force jashtë vendit.
Ky ligj, parasheh që dërgimi i FSK-së në misione jashtë vendit bëhet në bazë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe me shtetin pritës apo në kuadër të ftesës nga ndonjë organizatë ndërkombëtare, apo me ndonjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ligji parasheh edhe aspekte të tjera të pjesëmarrjes së FSK-së në misione jashtë vendit. Shembull, aty thuhet se para dërgimit në misione, FSK-ja duhet të kryejë stërvitje e përgatitje. Po ashtu, ligji parasheh që mbulimi i shpenzimeve të bëhet nga buxheti i vendit, por edhe nga organizata ndërkombëtare e shtete të tjera, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare apo ndërinstitucionale.
Po ashtu, aty caktohet edhe kur tërhiqet FSK-ja nga misione jashtë vendit. Tërheqja mund të bëhet kurdo kur vlerësohet se me këtë vendim mbrohen interesat e Kosovës. FSK-ja mund të tërhiqet edhe në rrethana të jashtëzakonshme, thuhet në ligj, dhe këtë vendim e merr presidenti i shtetit.
Përveç misioneve jashtë vendit, FSK-ja ka marrë pjesë edhe në operacione të kërkim-shpëtimit dhe misione të tjera me karakter humanitar. Rasti i fundit që një kontingjent u dërgua jashtë vendit në mision humanitar ishte në janar të këtij viti, ku ushtarët kosovarë u përfshin në kërkimin e një personi në Shqipëri.
Po ashtu, pjesëtarë të FSK-së marrin pjesë në trajnime jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit me shtete të ndryshme. Shembull, në muajin dhjetor 2025, pjesëtarë të operacioneve speciale të FSK-së, në bashkëpunim me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar kryen trajnime në xhunglat tropikale të shtetit të Belizës.
FSK-ja po ashtu merr pjesë në trajnime të ndryshme me ushtrinë amerikane dhe ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.
REL




























































