Akademik Rexhep Qosja ndërroi jetë sot, në moshën 89-vjeçare.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, familjarë të tij komunikuan se është kryer edhe varrimi i Rexhep Qosjes, kësaj figure emblematike të kombit shqiptar.
Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.
Familjarët sqarojnë se, sipas dëshirës së të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja dhe se familja nuk do të marrë pjesë as në ndonjë organizim të mundshëm institucional.
“Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!”, thuhet në njoftimin e bërë në faqen online të akademikut të ndjerë, shoqëruar me një foto të tijën në bardhezi.
Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, Rexhep Qosja ka qenë autor i dhjetëra veprave, përfshirë romane, ese dhe studime shkencore, duke lënë gjurmë të thella në kulturën shqiptare. Njihej për qëndrimet e tij të forta publike dhe angazhimin në debatet shoqërore e politike.
Krijimtaria letrare e Rexhep Qosjes është një nga kolonat më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe, duke u shtrirë në disa gjini: që nga romani dhe drama, e deri te kritika letrare dhe historia e letërsisë. Ai njihet si një shkrimtar që ndërthur intelektualizmin e thellë me ndjeshmërinë kombëtare.
Rexhep Qosja ka qenë një nga delegatët kryesorë nga Kosova në Kongresin e Drejtshrimit të vitit 1972. Ai ishte një mbështetës i fuqishëm i unifikimit të gjuhës, duke argumentuar se Kosova duhet të adoptonte standardin e Tiranës për të mbajtur gjallë lidhjen kombëtare dhe kulturore me Shqipërinë.
Rexhep Qosja ka qenë ndër figurat e rëndësishme që morën pjesë në bisedimet e paqes për t’i dhënë fund Luftës së Kosovës të vitit 1999.
/Argumentum.al


























































