21 vite më parë do të ndodhte një nga masakrat më të mëdha të bëra nga ushtria serbe në Kosovë, pikërisht në fshatin e Reçakut u vranë 45 civilë.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, prej ditës së djeshme ndodhet në Kosovë dhe do të jetë prezent në veprimtarinë përkujtimore të masakrës së Reçakut.
Në orën 10:30 së bashku me homologun kosovar Hashim Thaçi dhe përfaqësues të tjerë të politikës së Kosovës, presidenti Meta zhvilloi homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.
“Masakra e Reçakut ishte krim kundër njerëzimit dhe genocid. Serbia duhet të japë llogari. Drejtësia herët a vonë do të ngadhënjejë” tha Thaçi duke dënuar dhe heshtjen e ndërkombëtarëve.
“Çdo përpjekje për të mohuar këtë masakër, por edhe çdo masakër tjetër në këtë rajon është një rrezik për riciklimin e dhunës” tha Meta.
Gjatë fjalës së tij Meta u shpreh se kjo masakër nuk mund të cilësohet me vetëm 3 fjalë ‘krim kundër njerëzimit’, siç e quajti në atë kohë ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker. Presidenti thotë se ky ishte një akt shokoi mbarë botën dhe që vuri në lëvizje botën përendimore.
“Ai ishte një akt që nuk mund të përmbyllej më saktë se me tri fjalë: Krim kundër njerëzimit. Ky ishte një akt që shokoi mbarë botën por që vuri në lëvizje botën përendimore, më pas përmes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Kjo dhe masakra të tjera në Kosovë me plan spastrimin etnik, treguan se liria dhe dinjiteti njerëzor triumfojnë ndaj gjenocidit dhe barbarizmit njerëzor. Çdo përpjekje për të mohuar këtë masakër, por edhe çdo masakër tjetër në këtë rajon është një rrezik për riciklimin e dhunë”, ka thënë Meta gjatë fjalës së tij.
Ndërkohë në orën 11:00, Meta do të jetë i pranishëm në Akademinë Përkujtimore në nderim të të rënëve.
Më 15 janar 1999 u ekzekutuan mizorisht 45 civilë shqiptarë në Reçak. Në mesin e tyre kishte burra, gra, pleq e fëmijë.